
Gjykata e Tiranës ka dënuar dje me nga 4 dhe 8 muaj burg dy nga protagonistët e video-skandalit në spital, ku një vajzë ngacmohej seksualisht teksa ishte pa ndjenja, ndërsa një tjetër u dënua me 80 ditë punë të detyruar. Treshja e parë e të akuzuarve mori kështu dënimet nga gjykata. Kurse dy të tjerët ende nuk ka të dhëna për procesin gjyqësor ndaj tyre.
Evarist Pasha mori tetë muaj burgim dhe Albi Bocaj u dënua me 4 muaj burg për ngacmimin seksual të një vajze që ishte pa ndjenja në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza, në Tiranë.
Ndërsa Patrik Kacaj u dënua me 80 orë punë publike.
Të rinjtë postuan një video në rrjetet sociale ku shfaqeshin duke e ngacmuar seksualisht adoleshenten që ishte pa ndjenja për shkak të konsumit të tepër të alkoolit.
Pak ditë pas publikimit të videos togat e zeza vendosën arrest me burg për 25-vjeçarin Evarist Pasha, i cili akuzohet për ngacmim seksual.
Ndërkohë, gjykatësi Ibrahim Hoxha dha masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje” për dy autorët e tjerë, Albi Bocaj dhe Patrik Kacaj.
Tre të arrestuarit deklaruan në polici se videon e morën si lojë, pasi nuk e dinin që ishte krim.
Ndërkohë u shpallën në kërkim dy shtetasit e tjerë, Dejvi Lamaj dhe Andi Bushaj, të cilët u arrestuan më vonë.
Çfarë ndodhi më 26 shtator 2014 dhe si u zbulua
Ngjarja që ka përqendruar vëmendjen e mediave, ka ndodhur më 26 shtator 2014 në urgjencën e QSUT – Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë. Mbrëmjen e 26 shtatorit, një grup djem e vajza nga shkolla “Petro Nini Luarasi” në Tiranë, kanë shkuar në një pub në kryeqytet.
Mes tyre ishte dhe vajza rreth 17 vjeçare, nxënëse e kësaj shkolle. Bashkë me adoleshenten gjendeshin edhe dy djem të cilët shfaqen në video.
Pasi kanë qëndruar deri dy orë pas mesnate, vajzat kanë dalë nga pub për t’u shpërndarë nëpër shtëpi. Shoqet ia lanë çunave që ta çojnë në shtëpi. 17-vjeçarja ka qëndruar me dy nga djemtë që ta dërgonin ato me makinë.
Në një moment, vajza ka pasur të vjella dhe gjendje të fikëti. Dy djemtë e kanë dërguar në spital, tek Urgjenca e QSUT.
Atje, personeli e ka futur në një nga dhomat e urgjencës dhe i ka dhënë serum për ta hidratuar pasi kishte konsumuar sasi të madhe pijesh alkoolike.
Dy djemtë që e shoqëruan, pasi vajza mori serum, qëndruan me të në dhomë. Për disa minuta, në dhomë nuk kishte njerëz të tjerë veç vajzës, dy djemve dhe një personi agjencie funerale që në video shfaqej i veshur me xhup pasi punonte në turn nate.
Pikërisht në ato minuta, njëri prej dy djemve, ka nxjerrë celularin dhe bashkë me shokun e tij, kanë nisur lojën e tepruar. D.L., 18 vjeç, maturant në Tiranë, ka prekur vajzën në zonat intime, kurse shoku i tij e ka filmuar./a.y/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





