Transmetuar më 14-06-2015, 20:06

Precedenti i Edi Ramës me Lulzim Bashën rreth katër vjet më parë kur beteja e tyre për Tiranën u nda me fare pak vota, e ka nxitur kandidatin e ri të së majtës, Erion Veliaj që të bëjë thirrje publike për të mos humbur asnjë votë që mazhoranca shpreson të marrë në bashkinë e kryeqytetit më 21 qershor.

Në një takim përmbyllës të fushatës elektorale sot në Farkë, e cila me ndarjen e re bëhet pjesë e bashkisë Tiranë, z.Veliaj tha se “edhe një votë sjell ndryshimin, ndaj paralajmëroi se “kemi edhe 7 ditë kohë për të dalë të gjithë në votime”.

Duke filluar nga java tjetër, Krraba, Bërzhita, Baldushku, Farka, Petrela, do të jenë lagjet e reja të Tiranës.

Duke komentuar këtë fakt, z.Veliaj tha: “Angazhimi ynë është që të kemi trajtim të barabartë. Nëse deri dje qeveria e kaluar i trajtonte njerëzit me standarde të dyfishta, i ndante në të majtë dhe në të djathtë, në qytetarë e katundarë, në njerëz të periferisë dhe njerëz të bllokut, Qeveria jonë, bashkia jonë e re, i trajton njerëzit të gjithë njësoj, të gjithë si qytetarë të Tiranës, të bashkisë më të madhe që do të ofrojë shërbimet më të mira dhe që do t’i respektojë njerëzit njësoj, pavarësisht nga bindjet politike dhe vendbanimi”.

Pavarësisht se opozita dhe disa thonë që nga kryesocialisti Edi Rama dhe z.Veliaj pati romuze dhe përçmim ndaj rivalit Halim Kosova dhe kreut opozitar Lulzim Basha, sot para banorëve të Farkës, ish ministri i qeverisë Rama dhe ish kreu i Mjaft, tha se zgjedhja e tyre ishte një fushatë pa hedhje balte.

“Ne bëmë një zgjedhje të ndërgjegjshme kur e filluam këtë fushatë, zgjodhëm të mos bënim një fushatë me urrejtje, që të mos bënim një fushatë me baltë, që të merrej me familjet e të tjerëve, por zgjodhëm të bëjmë një fushatë ku programi ynë zgjidh hallet e të gjithë bashkisë së Tiranës, të çdo qytetari. Ne zgjodhëm që të kishim një program për çdo njësi, sepse ne besojmë se njerëzit nuk duan të dëgjojnë për sherre, për shpifje, nuk duan më politikanë që shajnë familjet, gratë dhe nënat e të tjerëve”, – tha Veliaj.

Kurse më tej ai u ndal te rëndësia që ka çdo votë: “Miqtë e mi, është shumë e rëndësishme që në 7 ditët që kanë mbetur të çojmë çdo njeri në votime. Është e rëndësishme që gjithë këtë energji ta çojmë në kutinë e votimit dhe të sigurohemi që të gjithë të jenë aty në datën 21 qershor”.

Veliaj tha se janë dy alternativa dhe detajoi: “Jemi përpara dy zgjidhjesh: një zgjidhje që gjërat të vazhdojnë kështu siç janë dhe një zgjidhje tjetër që gjerat të ndryshojnë radikalisht; një zgjidhje që thotë, na jepni dhe 4 vjet të tjera si këto 4 vjet që lamë pas dhe një zgjidhje që thotë na jepni 4 vjet totalisht të ndryshme, 4 vjet ku shkohet në punë, ku i shërbehet qytetit, ku pastrohen mbeturinat, ku vjen uji në çezmë, ku ndihmohet bujqësia, ku ngrohen e ndriçohen shkollat, ku rregullohen rrugët”.

Z.Veliaj u tha “qytetarëve” të Farkës edhe se “një votë ka fuqinë ta zgjojë bashkinë nga gjumi katërvjeçar dhe ta çojë në shërbim të qytetarëve katër vitet e ardhshme”.

Në fund ai shprehu shumë falënderime për LSI dhe kryetarin e saj Ilir Meta, FRD dhe kryetarin e saj Bamir Topi dhe PDIU e kryetarin e saj Shpëtim Idrizi, që të trija këto parti, vitet e kaluara pjesë të mazhorancës së Sali Berishës. /a.b/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd