Transmetuar më 14-06-2015, 17:23

Reshjet e rrëmbyera të natës duke gdhirë dita e sotme, kanë shkaktuar vdekjen e 13 personave dhe plagosjen e disa të tjerëve, kurse 24 të tjerë konsiderohen të zhdukur në kryeqytetin e Gjeorgjisë, Tbilisi.

Për më tepër, vërshimet kanë shkaktuar dëmtimin e kopshtit zoologjik dhe prej tij kanë dalë jashtë të gjitha kafshët e egra.

“Kopshti zoologjik i këtij qyteti, është përmbytur dhe tigrat, luanët, ujqit dhe shtazët e tjera, janë larguar nga kopshti. Tre punëtorë të këtij kopshti kanë humbur jetën”, – thanë zyrtarët e shtetit.

Disa nga shtazët janë zënë, por shumë të tjerë që kishin marrë arratinë, nuk janë gjetur.

Dalja e tyre nga kafazët dhe largimi drejt zonave të banuara përreth ka shkaktuar një klimë frike mes banorëve.

Për këtë shkak, kanë kërkuar që banorët e qytetit të qëndrojnë në shtëpitë e tyre.

Autoritetet e Gjeorgjisë thonë se reshjet e shumta kanë shkaktuar dalje nga shtrati të lumit Vere, duke vërshuar dhjetëra ndërtesa dhe automobila dhe duke i dëmtuar linjat e rrymës elektrike.

Presidenti i Gjeorgjisë, Giorgi Margelashvili, i ka ngushëlluar familjet e viktimave të vërshimeve dhe ka premtuar fillim të shpejtë të procesit të rindërtimit.

Kryeministri, Irakli Garibashvili, për nesër ka shpallur ditë zie.

Zyrtarë të qytetit kanë thënë se vlerësohet se dëmet janë afro 18 milionë dollarë.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd