
Tiranë, 14 qershor 2015, NOA.al – Konfindustria vlerëson, se marrëveshja për tregtinë e lirë ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor/CEFTA në zbatimin në praktikë ka rezultuar në mënyrë të përgjithshme e pasuksesshme dhe larg synimeve fillestare.
“Marrëveshja CEFTA është arritur me kërkesën, trysninë dhe ndërmjetësinë e drejtpërdrejtë të Bashkimit Europian dhe si e tillë dështimi i saj është në thelb goditje e politikës së Brukselit për vetë procesin e integrimit të shteteve nënshkruese”,- thotë administratori i përgjithshëm i Konfindustrias, Gjergj Buxhuku.
Ai bën me dije në një komunikim me mediat se Konfindustria do ti kërkojë zyrtarisht qeverisë së Shqipërisë rinegocimin në një kohë sa më të shpejtë të disa prej kapitujve kryesorë të CEFTA-s për të shmangur dështimin e plotë të saj.
Më tej, Konfindustria vlerëson, se rasti i fundit i bllokimit të paarsyeshëm dhe i përsëritur disaditor i prodhimeve me origjine shqiptare nga Maqedonia si dhe raste të tjera të shumta, që kanë penguar tregtinë e lirë ndërmjet vendeve të Rajonit, janë tregues i qartë i problematikës së CEFTA.
“Dështimi i marrëveshjes CEFTA ka ardhur nga zbatimi në masë në praktikë i pengesave/barrierave jotarifore të qëllimshme dhe të pambështetura nga vendet e rajonit ndaj prodhimeve të vendeve të tjera. Shqipëria është nga vendet më të prekura nga mosrespektimi i kushteve të tregtisë së lirë dhe marrëveshjes CEFTA nga vendet e Rajonit”,- përfundon reagimin e tij Buxhuku. /a.s/noa.al
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





