Transmetuar më 13-06-2015, 18:55

Gjirokastër, 13 qershor 2015,  NOA.al – Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, i pranishëm në një aktivitet elektoral në qytetin e Gjirokastrës akuzoi ish kryeministrin Sali Berisha se e bllokoi këtë qytet, ndërsa sot në Gjirokastër, siç tha ai, po përjetohen shenjat e para të rilindjes.

“Ju jeni dëshmitarë të rrethimit, të bllokimit dhe izolimit të plotë që Saliu i bëri Gjirokastrës duke e trajtuar si një kështjellë të armikut që duhej marrë me çdo kusht e duke lënë që të rrënohen monumentet e një vlere të paçmueshme. Në 23 qershor të dy viteve më parë ju morët vendimin historik për të ndalur rrënimin e Gjirokastrës dhe sot ky qytet ka nisur të përjetojë shenjat e para të rilindjes”,- u shpreh Rama.

Ai e cilësoi Gjirokastrën si një burim natyral zhvillimi të madh ekonomik dhe një rezervë të madhe ende të pashfrytëzuar për të transformuar ekonominë e çdo familje dhe për të kontribuar në rritjen e ekonomisë kombëtare.

“Në këtë bashki ka shumë familje që nuk kanë asnjë njeri në punë, që jetojnë nën hijen e varfërisë. Unë e di se sa shumë prisni dhe meritoni prej qeverisë sonë, por unë e di se kjo është një zonë ku njerëzit e mençur, fisnik e të punës e kanë të qartë se 18 muaj në krye të detyrës, janë të pamjaftueshme për të shëruar plagët që hapi një pushtet rrënues që e pa Gjirokastrën si një territor armik, sepse Gjirokastra kurrë nuk e ka tradhtuar të majtën e bashkuar”,- deklaroi kryeministri.

Sipas tij, këto 18 muaj janë një provë e sigurt se kjo qeveri është fuqia e duhur në kohën e duhur. “E kemi kthyer vendin në rrugën e duhur. Ne ju kemi dhënë provën se jemi ne dhe vetëm ne, Aleanca për Shqipërinë Europian, PS dhe LSI, dy parti por një fuqi e vetme udhëheqëse që dimë, po bëjmë dhe do të bëjmë shtet për shqiptarët”,- shtoi kreu i qeverisë. Për Ramën, programet e kandidatëve të majtë janë programe për familjen gjirokastrite, janë programe për anëtarët e çdo familje që duhet të dalin në mëngjes nga shtëpia për të shkuar në punë, shkollë, kopsht, në mjediset sportive etj.

“Ndërkohë nga ana tjetër është një fushatë pa lidhje fare me të gjitha këto. PD ka dalë nëpër Shqipëri për të kërkuar sa më shumë njerëz që mund ti budallallepsë. Unë besoj se ajo fushatë është shprehja e një dëshpërimi të madh, e mungesës së vizionit, ideve, drejtimit. Po vetëshkatërrrohet si një çetë e njerëzish që kërkojnë vetëm sherr dhe janë vërsulur të njollosin zgjedhjet, sepse e ndjejnë se në 21 qershor asnjë komunitet nuk do t’i besojë përrallës nga e kaluara, të Saliut”,- ishin fjalët e kreut të PS-së.

Ndër të tjera ai deklaroi se Gjirokastrës i takon që në 21 qershor të marrë pjesë më shumë se asnjëherë tjetër në zgjedhje, ndërsa shtoi se si në asnjë fushatë tjetër, sytë e tij nuk kishin parë kaq shumë gra dhe vajza të marrin pjesë në të gjitha takimet elektorale të së majtës. /a.s/noa.al

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd