
Një nënë dhe dy fëmijët e saj kanë jetuar për më shumë se 30 vite të mbyllur në shtëpinë e tyre, prej frikës se ‘e keqja’ ndodhej jashtë. Kjo ka ndodhur në Grosseto të Italisë, ndërsa është bërë e ditur vetëm sot, falë një artikulli të gjatë të publikuar në “Il Tirreno”.
Në qytet të gjithë e dinin për ekzistencën e kësaj familjeje, e cila ishte fshehur dhe izoluar me dëshirë në banesën e tyre, por prishja e një tubi në tualet detyroi tre personat të lejonin që një hidraulik të hynte në shtëpi.
Në momentin që hidrauliku hyri në shtëpi, u përball me një situatë të paimagjinueshme. Kishte nga të gjitha anët ushqim të ndenjur, rrëmujë, pisllëk dhe shërbimet e higjienës thuajse nuk ekzistonin. Ai gjeti një qeskë në të cilën ishin të vendosura mbi 50 mijë euro kesh. Tekniku lajmëroi shërbimin e higjienës, të cilët ndërhynë në banesë dhe vendosën nën trajtim dy fëmijët (rreth 50 vjeç) dhe nënën e tyre.
Kjo histori tejet absurde ka nisur në fillim të viteve ’70, kur dy djemtë ishin ende shumë të rinj në moshë. Deri në atë kohë gjithçka shkonte shumë mirë për këtë familje, por kur njëri prej dy djemve u kthye nga shërbimi ushtarak, askush më nuk i pa në qytet.
Rrallë dukej e ëma e tyre, e cila, e vetme dilte për të marrë pensionin. Për të blerë ushqim, të tre telefononin një dyqan që ndodhet poshtë banesës së tyre dhe ata ua sillnin në shtëpi, të gatshme.
Për tu siguruar se e keqja nuk di tu hynte në shtëpi, edhe nëpërmjet mikrobeve apo baktereve, nëna dhe djemtë e saj, prej kohësh kishin mbuluar muret e shtëpisë me letra dhe ngjitësa adeziv.
Të vetmit që mund të hynin në banesë ishin disa infermierë, pasi para disa vitesh, njëri prej djemve u sëmur rëndë. Miqtë, të njohurit apo të afërmit, edhe pse provonin ti binin derës së banesës, nuk lejoheshin të futeshin brenda.
33 vitet e ngujimit dhe të burgosjes së vullnetshme kanë përfunduar falë sinjalizimit të kryetarit të bashkisë, i cili ka dhënë urdhër tek shërbimet sanitare, të ndërhyjnë në mënyrë të detyrueshme. /a.s/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





