Transmetuar më 13-06-2015, 16:38

Mat, 13 qershor 2015, NOA.al – Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i pranishëm në një aktivitet elektoral në Mat, ka deklaruar se dyshja Rama-Meta nuk kanë asnjë ofertë për qytetarët, ndërsa PD u jep zgjidhje halleve e problemeve të tyre.

“Qytetarët kanë alergji nga premtimet e tyre. Bashkë me llogarinë që do të japin para popullit, ata janë inferiorë se nuk kanë ofertë para jush dhe nuk ofrojnë asnjë zgjidhje për problemet tuaja. Flasin në hava për investime pasi të marrin votën, por populli e di se nuk kanë para, pasi i kanë prerë investimet. Taksat tuaja kanë avulluar prej korrupsionit dhe vjedhjes së tyre. Kam ardhur këtu për t’ju thënë se në u japim zgjidhje problemeve tuaja. Do të ofrojmë shpresë dhe shpëtim për Shqipërinë. Platforma jonë është konkrete, premtimet tona janë konkrete”,- tha Basha.

Më herët ai u shpreh se PD është gati për startin përfundimtar drejt fitores së Matit, fitores së qytetarëve të Matit, fitores së Shqipërisë, e cila, sipas Bashës nuk mund të ndalet, pasi ka ardhur dita e vendosjes me votë, dita e llogarisë, dita e bilancit.

“Dyshja Rama-Meta premtoi 300 mijë vende pune, por shpunësoi me mijëra shqiptarë, ndaj sot i shmanget bilancit me ju, nuk ju sheh në sy, nuk ju jep llogari. Premtuan uljen e çmimit të energjisë, por e dyfishoi atë. Amës i lidhet gjuha para matianëve, para shqiptarëve. Në kohë krize rritën taksat, faturat e energjisë, ngritën kërbaçin dhe morën me pahir qindarkat e fundit nga xhepi i të pamundurve dhe i falën ÇEZ-it 600 milionë euro nga paratë tuaja”,- u shpreh kreu i opozitës.

Sipas tij, ora e drejtësisë popullore dhe e të vërtetës po vjen. “Me votën tonë të bashkuar, qytetarë të Matit, të djathtë e të  majtë do tu japim një mësim për tu mbajtur mend mashtruesve që shkuan në drejtimin e kundërt”,- ishin fjalët e Bashës. /a.s/noa.al

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd