Transmetuar më 13-06-2015, 15:58

Tepelenë, 13 qershor 2015, NOA.al – Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, i pranishëm në një aktivitet elektoral në Tepelenë, deklaroi nga ky qytet se qeveria ka në plan të transformojë luginën e Vjosës në një park të madh kombëtar.

“Qeveria është duke punuar për transformimin e luginës së Vjosës në një park kombëtar që të frenohet barbarizmi i kësaj mrekullie natyrore, përmes ndërtimit pa kuptim të hidrocentraleve dhe të fuqizohet ekonomia familjare, bujqësia e të rritet numri i vizitorëve në këtë park të madh kombëtar të Vjosës”,- tha Rama.

Ai shtoi se Vjosa konsiderohet një pasuri e madhe Europiane, ndërsa shprehu bindjen se do të nisin të realizojnë projektin e madh për Vjosën duke i dhënë mbështetje ekonomisë familjare të atyre që jetojnë në bashkinë e Tepelenës e Përmetit.

Ndër të tjera, kreu i qeverisë u shpreh se këto zgjedhje vendosin se si do të jetë shtëpia e re e komunitetit dhe janë për rrugën përpara shtëpisë, për hapësirën që duhet të kenë në komunitet edhe më të moshuarit, për mundësitë, për punësim dhe vetëpunësim që bashkia e re do t’ju krijojë atyre që duan ta çelin dhe duan të mbajnë një biznes të vogël e të suksesshëm.

Për Ramën, kjo është rruga e rimëkëmbjes së Tepelenës, ku do të kemi vit pas viti rritje të turizmit, falë projektit të qeverisë.

“Këto janë zgjedhje, ku ne, unë apo Ilir Meta, nuk kemi dalë në fushatë për të bërë politikë të madhe, por sepse kemi një besim të madh tek kandidatët tanë, tek idetë që kemi ndarë me ta dhe një detyrim të madh që tu japim mbështetje programeve të tyre”,- tha kreu i qeverisë.

Ai nuk la pa përmendur as opozitën, për të cilët u shpreh: “Ju e shikoni se nga ana tjetër po bëhet një fushatë për tu ardhur keq dhe për tu ndier të turpëruar. Ka vetëm një gjë që na bashkon ne dhe ata. Të dy flasim për atë që do të ndodhë në 21 qershor. Ne flasim për 23 qershorin e 2015, ndërsa ata për 21 qershorin e 2013. Ata thonë: “O burra të kthehemi mbrapa se ishim më mirë kur ishim më keq”.

Edi Rama deklaroi se në 18 muaj nuk mund të mbylleshin gjithë plagët, por ama qeveria ka dhënë provën e sigurt se është fuqia e duhur dhe e ka kthyer vendin në rrugën e duhur.

“Jemi të vetmit që do të bëjmë shtet për shqiptarët. Llafet ia kemi lënë PD-së, ndërsa punët për të ndërtuar rrugën e re të Shqipërisë jemi ne që i bëjmë. Mbase nuk jemi më të mirët, por më të mirë s’kemi parë. Kjo është fushata më e bukur sepse marrin pjesë më shumë gra dhe vajza”,- u shpreh ndër të tjera Kryeministri Rama. /a.s/noa.al

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd