Transmetuar më 13-06-2015, 12:37

Ish-shoferi personal i këngëtares Greta Koçi është dënuar me burg nga Gjykata e Tiranës, pasi ishte akuzuar për përndjekje ndaj saj.

Ai e përndiqte këngëtaren duke i thënë me insistim “Ti do bëhesh gruaja ime”. Por përndjekja e vazhdueshme, e detyroi këngëtaren që ta denonconte shoferin, duke bërë që të nisi hetimi ndaj tij.

“Panorama” shkruan sot se gjyqtari Altin Abdiu, më datë 2 qershor, përfundoi së shqyrtuari në seancë gjyqësore publike çështjen penale në fjalë, me të pandehur 40-vjeçarin Verian Hysaj nga Shkodra, i akuzuar nga Koçi për kryerjen e veprës penale “përndjekje”, parashikuar nga neni 121/ a-1 i Kodit Penal.

Prokurori Valentin Preçi, i cili përfaqësoi këtë çështje, kërkoi në konkluzionet përfundimtare deklarimin fajtor të të pandehurit Verian Hysaj për kryerjen e veprës penale “përndjekje” dhe dënimin e tij me 9 muaj burg.

Ndërkohë që Hysaj i kërkoi Gjykatës deklarimin e pafajshëm për akuzën e ngritur nga Prokuroria. Por Gjykata, pasi shqyrtoi çështjen penale të paraqitur për gjykim nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka dalë në konkluzionet e saj, bazuar në kallëzimin penal që Greta Koçi kishte paraqitur në 4 shtator të vitit të kaluar.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd