Transmetuar më 13-06-2015, 11:26

Bulqizë, 13 qershor 2015, NOA.al- Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta, në një takim elektoral në Bulqizë premtoi se në vjeshtë fillon dhe përfundon Rruga e Arbrit e cila sipas tij do e lidhë Bulqizën me Tiranën për 40 minuta.

Përmes kësaj rruge tha Meta, do i jepet fund izolimit historik të kësaj treve.

Ai ftoi qytetarët që të mos humbin rastin për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale të 21 qershorit, duke shtuar se këto nuk janë zgjedhje lokale të zakonshme që bëhen një herë në katër vjet, por se në zgjedhjet e 21 qershorit, populli shqiptar do ti japë fund një keqorganizmi administrativ e territorial prej 25 vitesh që luajti rol bllokues dhe do hapë një derë të re për administrimin territorial përmes 61 bashkitë e reja.

“Askush nuk duhet ta humbë këtë mundësi që të jetë pjestar në zgjedhjet e 21 qershorit, në mënyrë që të mbahet mend pjesëmarrja e jashtëzakonshme. Reforma territoriale është shumë e rëndësishme për Bulqizën, e cila do të ketë një bashki të re, shumë herë më të madhe dhe fuqishme ku do të vihen në rrugën e zgjidhjes shumë probleme që për shkak të fragmentarizimit ishte e pamundur të menaxhoheshin”, u shpreh Meta.

Ai ftoi më tej qytetarët që të votojnë në 21 qershor për ti thënë po reformës administrativo-territoriale dhe kandidatit Melaim Damzi, i cili tha Meta, do të tregojë se do jetë administrator i jashtëzakonshme i bashkisë së madhe të Bulqizës.

Sipas kreut të LSI, duke votuar kandidatin e Aleancës për Shqipërinë Europiane votohet për bashkëpunimin qeveri- bashki, në mënyrë që të rinjtë ta shohin të ardhmen në vendin e tyre.

Në vijim ai deklaroi se përfundimi i Rrugës së Arbrit do garantojë një të ardhme të ndritur për Bulqizën./a.y/noa.al

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd