Transmetuar më 12-06-2015, 22:50

Kryeministri dhe kreu socialist Edi Rama, reagoi pak minuta më parë lidhur me ato që i cilëson sulme ndaj bashkëshortes së kandidatit për kryebashkiak të Tiranës, Erion Veliaj.

Z.Rama thotë se “sulmet” e opozitës ndaj Ajola Xoxes, janë shenjë e një partie të dëshpëruar siç shprehet ai.

“Sulmet e SHQUP-it ndaj gruas së Erion Veliajt janë faqja e zeze e një partie të dëshpëruar, pa ide dhe pa drejtim, që po ha përditë vetveten!”, – thotë z.Rama në një reagim që bëri publik mbrëmjen e sotme.

Deklarata e kryeministrit vjen disa orë pasi Tv Agon publikoi materiale ku sugjeronte se Ajola Xoxe është avokate e kompanive të Beketit, për të cilin prokuroria ka kërkuar arrestimin dhe për TV e tij dhe kompanitë, sekuestro.

Më tej opozita përforcoi këto akuza me dalje të posaçme publike. Ajo tha sot se “sipas Edi Ramës, Ajola Xoxa, bashkëshortja e kandidatit të tij për Tiranën, është e përfshirë në para të pista”, pasi sipas PD, “kështu i quan Edi Rama paratë e pronarit të Agon Channel, ku Ajola Xoxe është e lidhur drejtpërdrejt si përfaqësuese ligjore e z.Becchetti”.

Deputeti demokrat Luçiano Boçi tha se “është bërë publike sot, se zonja Veliaj ka përfaqësuar në disa gjyqe pronarin e Agon Channel, pikërisht për çështjen financiare për të cilën është akuzuar klienti i saj. Ndërkohë që, dy ditë më parë, kur sapo nisi procesi për këtë rast, Edi Rama shpalli verdiktin e tij. Si prokuror madje si gjyqtar suprem, ai tha: “Bllokimi i burimit të parasë së zezë që ushqente Agon Channel një sukses!””.

Opozita sugjeron se “Ajola Xoxe ndërkohë është në mes të gjithë kësaj historie transaksionesh si avokate e Becchettit”. /a.b/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd