Transmetuar më 12-06-2015, 19:26

Fier, 12 qershor 2015, NOA.al- Replika në distancë mes Edi Ramës, Ilir Metës dhe Lulzim Bashës, në tre takime të ndryshme elektorale në Fier, Lushnje dhe Berat.

Kryeministri Edi Rama duke folur nga Fieri u përpoq të shpërfillë rolin e opozitës kur tha se kandidati i majtë nuk ka rivalë. Kurse vlerësoi se "vota e fierakëve për Aleancën për Shqipërinë Europiane dhe kandidatin e majtë për bashkinë e Fierit, do të garantojë kthesën në drejtimin e duhur".

Në një takim elektoral në qytetin e Fierit pasditen e sotme, Rama deklaroi edhe se përmes votës në 21 qershor do të bëhet e mundur që të gjitha ëndrrat dhe shpresat e atyre që kanë besuar dhe investuar besimin e tyre te koalicioni i majtë, të kthehen në realitet.

“E vetmja konkurrencë për Armando Subashin dhe socialistët e Fierit, është konkurrenca me kandidatët dhe me përfaqësuesit e ASHE në Vlorë dhe Berat, kush do jetë bashkia që do të qëndrojë në krye, kush do jetë lokomotiva e fitores së madhe të 21 qershorit. Këtë përgjigje do e marrim në 21 qershor. Ka rëndësi të jashtëzakonshme që të gjithë të marrin pjesë dhe të shkojnë në votim. Të investojnë besimin e tyre, përmes letrës më me vlerë që një qytetar ka në demokraci, që është vota. Ta investojnë besimin e tyre për Armandon dhe Aleancën për Shqipërinë Europiane”, deklaroi Rama.

Kryesocialisti e cilësoi si një fushatë fantastike, pasi nënvizoi se si asnjëherë më parë marrin pjesë shumë gra dhe vajza dhe se Shqipëria do shkojë në votim jo thjesht për të zgjedhur kryebashkiakët e rinj, por për ti dhënë mbështetje jetësimit të një vizioni të PS-LSI, që në kuvendet vendore të ketë 50% gra dhe vajza.

Rama e cilësoi si një revolucion demokratik dhe emancipues, përfaqësimin e grave dhe vajzave në këshillat bashkiakë, duke thënë se do të garantohet përmasa e barazisë gjinore.

Sipas tij, fushata është e jashtëzakonshme për fshatin, duke shtuar se asnjëherë fshati nuk ka pasur mundësinë që i jep reforma historike territoriale, duke shtuar se familjet që jetojnë me tokën do kenë pranë mbështetjen që nuk e kanë pasur kurrë përmes bashkive të reja dhe kryebashkiakëve.

Rama shprehu vendosmërinë për të dhënë më shumë mbështetje për kryetarët e bashkive, duke shtuar se ata do të kenë jo vetëm detyra por edhe mundësi për t’i bërë ato detyra.

“Ne duam ti përmirësojmë në mënyrë rrënjësore shërbimet, përmes sporteleve që do jenë më shumë se asnjëherë tjetër përgjegjësi e bashkive të tjera. Komunat do kthehen në njësi administrative që do japin shërbime shumë më cilësore, ndërsa bashkia do të udhëheqë zhvillimin ekonomik. Ne kemi ndërtuar 61 njësi zhvillimi”, deklaroi kreu i qeverisë.

Në vijim ai shtoi se kandidatët e majtë flasin me njerëzit dhe për njerëzit dhe për problemet e tyre, ndërsa për fushatën e PD tha se këmbëngul të tregojë një përrallë nga e kaluara që shqiptarët e ndëshkuan me 1 milionë vota në 23 qershorin e 2013.

“Ka dalë në Shqipëri dhe kërkon budallenj duke thënë se në 21 qershor është vota për të pasur taksat më të ulëta në botë, për të ulur çmimin e energjisë etj. Ku mendojnë se do i gjejnë kaq shumë budallenj, të cilët të çojnë dëm votën e tyre, duke besuar se më 22 qershor vota do kthehet përmbys dhe Shqipëria do gdhihet në 22 qershorin e 2013”, deklaroi Rama.

Ai apeloi qytetarët që në 21 qershor të votohet për çfarë do të bëhet për jetën e anëtarëve të familjes jashtë shtëpisë, pasi votohet për ujin e pijshëm, plehrat, transportin urban etj.

Sipas kryesocialistit si mundet që qytetarët demokratë të votojnë për të mbajtur me gariet Partinë Demokratike dhe për të mbajtur në punë kryetarin e opozitës.

“Ju keni një mundësi jo vetëm të zgjidhni drejtimin e duhur, por ti çoni dhe partisë tuaj mesazhin se duhet dhe ajo të zgjedhë drejtimin e duhur”, tha Rama.

Ai shtoi më tej se besimi i qytetarëve duhet investuar masivisht me votë, gjë që sipas tij do të rrisë angazhimin për të kthyer besimin njëqindfish me punë.

Më tej gjatë një ndalese në Lushnje kreu i qeverisë deklaroi se sot ka ende shumë probleme dhe halle. Ai tha se sot ka shumë tokë të papunueshme se nuk ujitet dot, por u zotua se me kryebashkiakun e majtë në Lushnje, toka do të shfrytëzohet dhe do të bëhet prodhuese.

Rama nënvizoi se 18 muaj janë të pamjaftueshme për të bërë gjithçka, por shtoi se është dhënë prova e sigurtë e fuqisë së ndryshimit. Edhe në Lushnje Rama premtoi legalizime falas.

Nga ana e tij kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta, deklaroi se Fieri në 22 qershor do të ketë një kryebashkiak model dhe shembullor, të aftë për të menaxhuar bashkinë e re dhe të madhe të Fierit.

Meta tha se bashkë me resurset që i shtohen bashkisë ekzistuese të Fierit do të bëhet e mundur që me kombinimin e mundësive, bashkia e madhe do të shtojë mundësitë për një të ardhme më të mirë të qytetarëve të Fierit.

“Kjo fushatë është model, e kulturuar, e cila i drejtohet qytetarëve me propozime dhe alternativa konkrete ndërsa të tjerët shpifin e shajnë, ne propozojmë zgjidhje dhe ofrojmë mundësi më të mira për familjet e Fierit. Po e mbyll duke uruar një fitore të thellë e cila do vijë përmes një fitore të jashtëzakonshme”, u shpreh Meta.

Kryetari i LSI-së nënvizoi se reforma administrative-territoriale është kryereforma e cila do t’i çojë të gjitha energjitë e vendit tonë në drejtimin e duhur.

Basha në Berat: Po vjen ora e së vërtetës

Një ditë pas takimit elektoral të kryesocialistit Edi Rama, pasditen e sotme qyteti i Beratit ka qenë ndalesa e radhës e kreut të Partisë Demokratike Lulzim Basha.

Në një takim elektoral në këtë qytet ai tha se bashkë me qytetarët u paralajmërua qeveria të mos rriste taksat, energjinë dhe çmimin e naftës, por shtoi se Rama- Meta kundër vetë premtimeve të tyre i rritën një nga një.

“Nxorën kërbaçin dhe morën kacidhen e fundit nga xhepi i të pamundurve. Shqipëria është zhytur në skandalin më të pashembullt në shëndetësi. A mos vallë e lanë borxhin që s’u ndahej nga goja. Jo e shtuan me 700 milionë dollarë në dy vite. Më shumë e shtuan. Ku janë paratë e shqiptarëve, ku janë paratë tuaja? Në kazinotë e pushtetit, në vilat e tyre. Nuk u ngopën duke vënë taksa të larta dhe duke abuzuar me to. Sot nuk kanë asnjë fjalë për të thënë para jush, sepse me çmimet e larta falimentuan me mijëra biznese të vogla, detyruan bizneset e mëdha të largojnë nga puna në vend të punësojnë”, tha Basha.

Sipas tij, varfëria, papunësia dhe pamundësia janë hallet e qara me qytetarët në dy vite.

Kryedemokrati tha se harruan se po vjen ora e së vërtetës, dita e votës, kur siç tha ai gjykatësi suprem është populli.

Lidhur me takimin elektoral të të majtëve dje në Berat, Basha u shpreh se nuk folën as për papunësinë dhe as për varfërinë.

“Oligarkia hedh valle në kështjellat tona, me taksat tona. Erdhën këtu këta sharlatanë e morën në gojë një qytet të tërë, folën e shanë sa deshën, a thua se i penguam ne të hapnin 300 mijë vende pune, se i penguam ne të ulnin çmimin e energjisë, a thua se i penguam ne të tregojnë fytyrën e njeriut. Dita e votës po vjen, do përballeni me gjykimin e Beratit ju që mashtruat pa pikë turpi se do hapnit vende pune dhe mashtruar. Ju që bëni pazar me këtë qytet, keni shitur çdo drejtori. Edi Rama do të bëjë ishull. O piktor njerëzit duan punë, duan bukë, duan shpresë. Mbaje ishullin për vete, se në ishull ke dy vjet që jeton, se përndryshe do dëgjoje zërin e qytetarëve që ankohen”, deklaroi kryedemokrati./a.y/noa.al

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd