
Vlorë, 12 qershor 2015, NOA.al- Kryeministri Edi Rama, inspektoi sot zbatimin në terren të projektit të vijës bregdetare të Vlorës, i njohur si Lungo Mare.
Kreu i qeverisë vlerësoi punën e bërë dhe shprehu besimin se transformimi rrënjësor sipas tij shumë shpejt do ti dhurojë Vlorës, statusin e një prej plazheve më të bukura të Mesdheut.
“Besoj se është një ditë e mirë për të gjithë skeptikët e Vlorës, që nga sot do të jenë shumë të qetë. Sot, pas lidhjes së kontratës me një kompani prestigjoze ndërkombëtare, e cila është përzgjedhur nga Komisioni Europian dhe me financimin e KE, ashtu siç e kam shpjeguar disa herë nis edhe pjesa më e rëndësishme e projektit, e cila përfshin infrastrukturën e vijës bregdetare apo të Lungo Mares, që këtu ku jemi, e tek nga turizmi i vjetër deri në fund, dhe bën të mundur që 14 muaj është afati i punimeve, por jam i bindur që mund të bëhet edhe pak më shpejt që të jemi plotësisht gati në sezonin e ardhshëm”, u shpreh Rama.
Ai e cilësoi Lungo Maren si një projekt me standarde europiane të të gjithë infrastrukturës nëntokësore që sipas tij është tërësisht e munguar në këtë zonë, dhe bën realitet atë që Rama e cilësoi si zotim që në ditën e parë, duke garantuar një nga plazhet më të bukura të Mesdheut.
Rama deklaroi se më pas do të vazhdohet me anën tjetër që përfshin të gjithë pjesën e vijës bregdetare nga porti deri tek Pylli i Sodës.
“Besoj se është një ditë për tu gëzuar sepse më në fund të gjithë procedurat e gjatë burokratike të Komisionit Europian, përfunduan me sukses dhe ja ku jemi tani për të parë një transformim rrënjësor, të paimagjinueshëm vetëm 18 muaj më parë”, tha më tej Kryeministri.
Pas lidhjes së kontratës me një kompani ndërkombëtare e përzgjedhur nga Komisioni Europian dhe me financimin tij, projekti hyn në fazën më të rëndësishme, i cili përfshin infrastrukturën e vijës bregdetare të Vlorës.
Lungo Mare pritet të finalizohet në një periudhë të shkurtër kohe. Projekti konsiston në rehabilitimin dhe rivitalizimin e hapësirës urbane brenda vijës bregdetare të qytetit të Vlorës. Ndërhyrjet e shndërrojnë shëtitoren në një zonë këmbësore me gjallëri të, duke e bërë atë një hapësirë të rëndësishme rekreative e një strehë të preferuar për banorët e të gjitha moshave, si dhe një destinacion tërheqës për turistët e vizitorët.
Projekti parashikon riorganizimin e plotë të shëtitores ekzistuese të Vlorës, përfshirë sheshet dhe hapësirat publike, përmirësimin dhe rehabilitimin e rrugës së bregut dhe parkimeve.
Gjithashtu, shëtitorja do të rivitalizohet me një seri parqesh publike me funksione të veçanta, ku do të mbillen pemë të llojeve të ndryshme./a.y/noa.al
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





