Transmetuar më 12-06-2015, 16:07

Peqin, 12 qershor 2015, NOA.al- Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha shpreh vendosmërinë e tij dhe të Partisë Demokratike për të luftuar deri në realizimin e plotë të ofertës së demokratëve për ulje taksash, çmimesh dhe rritjen e punësimit.

Gjatë dy takimeve elektorale të ditës së sotme në Cërrik dhe Peqin, Basha tha se ka ndodhur, që një qeveri apo një i votuar të mos arrijë të mbajë dot të gjithë premtimet por nuk ka ndodhur kurrë në një vend demokratik, që një qeveri të shkojë në drejtimin e kundërt të premtimeve të saj.

Ai tha se Edi Rama dhe Ilir Meta premtuan uljen e çmimit të dritave por e rritën atë, siç sipas tij rritën çmimin e naftës, taksat, papunësinë dhe varfërinë.

Në këtë linjë Basha shtoi se qytetaret varfërohen çdo ditë, ndërsa qeveritarët pasurohen me paratë e qytetarëve.

“U gënjen mendja se ku me presione, ku me shantazhe, ku me sondazhe, ku me thesin e miellit e ku me paratë do të arrijnë të blejnë varfërinë që mbollën në këto dy vite. Drama e çdo nëne, e çdo gruaje, shumë prej të cilave janë marrë e çuar në biruca, sepse lidhnin energjinë për fëmijët e sëmurë, të tjera që dhuronin gjakun sepse nuk kishin me çfarë të paguanin faturat e energjisë e mijëra të tjera që janë pa punë, enden pa shpresë në kërkim të një kothere bukë për fëmijët e tyre. Ky është realiteti. Kjo është gjëma e dyshes Rama-Meta që erdhi me premtime të mëdha para dy vitesh. Dinjiteti i nëpërkëmbur i kryefamiljarëve nuk është në shitje në 21 qershor por do të ndëshkojë me votë ata që e shkelën, ata që e nëpërkëmbën”, u shpreh Basha.

Ai deklaroi se do të luftojë deri në fund, deri në fitore për të ulur çmimin e energjisë me 25%, për të falur kamatë-vonesat, për të rritur rrogat e pensionet, për të rritur ndihmën ekonomike dhe për të shtuar në listën e ndihmës ekonomike.

Fatin e betejës, në 21 qershor nuk e vendosin as kërcënimet e Edi Ramës, as paratë e pista të krimit, tha lideri i opozitës, por e vendos rruga e zgjidhjes për të dalë nga varfëria e ulur këmbëkryq, që nuk kërkon lëmoshë, por kërkon zgjidhje, kërkon punë, kërkon dinjitet dhe respekt.

“Ne e kemi rrugën e daljes nga kjo krizë, ne kemi vizionin, ne kemi vendosmërinë dhe ne do ta ofrojmë atë e me votën tuaj do të hapim një rrugë tjetër. Kjo është rruga e uljes së taksave, kjo është rruga e uljes së çmimit të energjisë, kjo është rruga e një fondi të trefishuar për bujqësinë por që vjen drejtpërdrejt tek fermerët e nuk shkon në një grusht njerëzish që abuzojnë paratë e taksave tuaja, kjo është rruga e punës, punësimit për të gjithë të papunët e Peqinit e në veçanti për rininë punëtore e fisnike të Peqinit”, deklaroi ndër të tjera kryedemokrati./a.y/noa.al

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd