
Tiranë, 12 qershor 2015, NOA.al – Partia Demokratike ka deklaruar sot se sipas Edi Ramës, Ajola Xoxa, bashkëshortja e kandidatit të majtë për Tiranën, është e përfshirë në para të pista.
Sipas PD-së, kështu i quan Edi Rama paratë e pronarit të Agon Channel, ku Ajola Xoxe është e lidhur drejtpërdrejt si përfaqësuese ligjore e z.Becchetti.
“Është bërë publike sot, se zonja Veliaj ka përfaqësuar në disa gjyqe pronarin e Agon Channel, pikërisht për çështjen financiare për të cilën është akuzuar klienti i saj. Ndërkohë dy ditë më parë, kur sapo nisi procesi për këtë rast, Edi Rama shpalli verdiktin e tij. Si prokuror madje si gjyqtar suprem, ai tha: “Bllokimi i burimit të parasë së zezë që ushqente Agon Channel një sukses!””,- deklaroi sot Luçiano Boçi në emër të PD-së.
Ai shtoi se Ajola Xoxe është në mes të gjithë kësaj historie transaksionesh si avokate e Beçhettit.
“Nëse paratë e pronarit të Agon janë të pista, me burim kriminal, si ka mundësi që zonja Veliaj është e përfshirë? Si ka mundësi që ndaj saj nuk ka sot një procedim penal, sepse ekziston, është në fuqi një ligj që e detyron avokatin të raportojë pranë Drejtorisë së Pastrimit të Parave kur ka lëvizje të dyshimta parash, që e kalojnë shumën e 1 milionë lekëve të vjetra”,- shtoi Boçi.
Ai deklaroi se ligji nr 9917, i vitit 2008, e detyron Ajola Xoxen të raportojë, ndërsa Neni 3 thotë se subjektet e këtij ligji janë, avokatët, noterët, përfaqësuesit ligjorë, ekspertët kontabël, etj., ndaj zonja Veliaj, sipas dokumenteve të bëra publike sot është pikërisht avokate e z.Beçhetti.
“Si është e mundur që ky ligj i Republikës së Shqipërisë nuk vepron dot ndaj bashkëshortes së Erion Veliajt?
Pse ka imunitet ajo, çfarë e mbron atë, pse nuk është e barabartë para ligjit?
Pse nuk vepron ky ligj ndaj Ajola Xoxes edhe në rastin e Dzanashvillit, bosit të mafias së Ballkanit e më gjrrë, avokate e të cilit është bashkëshortja e Veliajt.
Dhe a ka ndonjë shpjegim, që sa herë flitet për para të pista, e pastrim parash me burim kriminal, del emri Ajola Xoxes si avokate?
A kanë marrë formën e posterave, spoteve, zyrave elektorale, formën e fushatës së luksit të Erion Veliajt, paratë e pista ku është përfshirë bashkëshortja e tij?
Edhe sa do të vazhdojë Edi Rama ta mbrojë zonjën Xoxa nga përballja me ligjin?
Edhe sa skandale të tjera duhet të ndodhin që Erion Veliaj të flasë, të bëjë transparencë?”,- përfundoi deklaratën e tij Luçiano Boçi. /a.s/noa.al
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





