
Berlin/ Gjermani, 12 qershor 2015, NOA.al – Presidenti Bujar Nishani mori pjesë si i Ftuar Nderi në mbrëmjen e Takimit të 20-të Ndërkombëtar të Berlinit. Në mesazhin e tij z. Nishani u ndal në vlerat e përbashkëta që duhet të udhëheqin liderët e sotëm, në marrjen e përgjegjësive dhe vendimeve për një shoqëri njerëzore më të paqtë e më solidare në përballimin e sfidave aktuale.
“Shqipëria po jep kontributin e saj me trupa dhe ekspertë ushtarakë e civilë në misione paqeruajtëse në vende të ndryshme të Botës, por edhe në luftën kundra të ashtuquajturit Kalifatit të Sirisë dhe Irakut, ISIS/ISIL”,- tha Nishani.
Sipas tij, aktet barbare e mizore të ISIS-it në Irak dhe Siri, përbëjnë kërcënim për vlerat morale të mbarë njerëzimit dhe për vetë shoqërinë njerëzore, pa dallim feje dhe se faktet tregojnë se këto akte barbare nuk kanë të bëjnë aspak me fenë apo me përplasje qytetërimesh, por me luftë të dhunshme për pushtet.
Presidenti foli edhe për Pavarësinë e Kosovës, për të cilën u shpreh se “mbështetja e Pavarësisë së Kosovës nga më shumë se gjysma e vendeve anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (108 vende anëtare të OKB-së) dëshmoi se ishte një vendim i drejtë në mbështetje të paqes dhe sigurisë në rajonin e Ballkanit”.
Për Nishanin, ky është një vendim që nuk drejtohej kundër ndonjë vendi apo etnie tjetër, por bëhej fjalë për rivendosjen në vend e një të drejte të mohuar e popullsisë shqiptare të Kosovës.
“Sot Kosova dhe Serbia zhvillojnë bisedime për çështje të ndryshme dhe, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kanë arritur marrëveshje të rëndësishme, që ndikojnë jo vetëm në normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe qytetarëve të tyre, por edhe të të gjithë rajonit”,- tha ndër të tjera Presidenti. /a.s/noa.al
Fjala e plotë e Presidentit Bujar Nishani
Të nderuar anëtarë të Bundestagut,
I nderuar zoti Deker,
Shkëlqesi Ambasadorë,
Zonja dhe Zotërinj,
Të nderuar pjesëmarrës,
Jam shumë i nderuar dhe i lumtur që marr pjesë sërish, për të tretin vit radhazi në këtë Takim Ndërkombëtar të Berlinit dhe në Mëngjesin e Lutjeve. Por ashtu si unë janë dhe shumë politikanë shqiptarë, dhe jo vetëm, të cilët kanë marrë pjesë në të gjatë dy dekadave të fundit, që pas rënies së Murit të Berlinit dhe vendosjes së demokracisë në Shqipëri. Dëshiroj që në fillim të falënderoj deputetët e Bundestagut si dhe zotin Deker për ftesën dhe t’i përgëzoj ata për vijimin me përkushtim të kësaj tradite të shkëlqyer të Takimit dhe Lutjeve të Mëngjesit. Kjo është një mundësi e mirë për politikanët dhe liderët nga vende të ndryshme të botës, të takohen me njëri-tjetrin por edhe me politikanë gjermanë, si dhe të përcjellin mesazhe bashkëpunimi në frymën e bashkëjetesës, mirëkuptimit dhe tolerancës mes popujve, etnive dhe grupeve të ndryshme shoqërore. Ashtu si edhe në takimet e mëparshme, pavarësisht nga vendi që vijmë apo besimi që kemi, ndihemi të bashkuar në besimin në Zot dhe vlerat më të mira humane. Ndihemi të bashkuar në përgjegjësitë që ne të gjithë kemi para Zotit dhe para njerëzve. Këtu besoj se qëndron dhe forca tërheqëse e kësaj nisme, që sot kremton takimin e 20-të saj. Si udhëheqës, politikanë apo përfaqësues të besimeve të ndryshme fetare, ne kemi përgjegjësinë për të influencuar pozitivisht dhe me të gjitha mundësitë tona, një shoqëri të vlerave, të bashkëjetesës dhe të multikulturalizmit, të mirëkuptimit dhe tolerancës, të harmonisë dhe respektit ndaj besimit të njëri-tjetrit.
Në ditët e sotme kjo përgjegjësi bëhet edhe më imperative, pasi sfidat e identifikuara globale, por edhe kërcënimet e grupeve radikale e terroriste, kanë bërë që asnjë vend apo rajon, sado i fuqishëm e i begatë qoftë, nuk mund të jetë imun ndaj kërcënimet terroriste me sfond fetar dhe vendet që i sponsorizojnë ato. Për këtë arsye, vendet dhe shoqëritë tona kanë nevojë për një udhëheqje që ofron bashkëjetesë dhe harmoni, por edhe për udhëheqës të cilët marrin përgjegjësi për të reaguar e përballuar të bashkuar dhe me vendosmëri sfidat dhe kërcënimet globale. Zgjidhje tjetër nuk ka. Në këtë kontekst edhe Shqipëria, vendim im, pavarësisht nga potenciali i ekonomik apo ushtarak, është rreshtuar pa hezitim në aleancat e ndërmarra nga Shtetet e Bashkuara në luftën kundër terrorizmit dhe ruajtjes së paqes dhe sigurisë në botë. Shqipëria po jep kontributin e saj me trupa dhe ekspertë ushtarakë e civilë në misione paqeruajtëse në vende të ndryshme të Botës, por edhe në luftën kundra të ashtuquajturit Kalifatit të Sirisë dhe Irakut, ISIS/ISIL. Dhe sigurisht që do të vijojë ta bëjë një gjë të tillë sa herë të nevojitet. Aktet barbare e mizore të ISIS-it në Irak dhe Siri, përbëjnë kërcënim për vlerat morale të mbarë njerëzimit dhe për vetë shoqërinë njerëzore, pa dallim feje. Faktet tregojnë se këto akte barbare nuk kanë të bëjnë aspak me fenë apo me përplasje qytetërimesh, por me luftë të dhunshme për pushtet. Popullsia më e viktimizuar prej këtyre barbarive është ajo e besimit mysliman.
Për këtë arsye është në interesin tonë të përbashkët të garantojmë paqen dhe sigurinë në botë, si dhe për të triumfuar mbi të keqen kërkohet bashkëpunim – bashkëpunim me njëri-tjetrin, bashkëpunim mes vendeve pa dallim feje dhe race. Domosdoshmëria për bashkëpunim më kujton një shprehje të famshme të humanistes me origjinë shqiptare, Nënë Terezës, e cila thotë – citoj: “Nëse nuk kemi paqe, kjo vjen se kemi harruar që i përkasim njëri-tjetrit”.
Të nderuar zonja dhe zotërinj,
Shqipëria është një vend i vogël për nga përmasat e saj gjeografike, por ka në themel të saj një shoqëri multifetare, ku tre besimet kryesore, feja islame, ortodokse dhe ajo katolike bashkëjetojnë prej shekujsh në paqe e harmoni të plotë. Këto modele bashkëjetese dhe harmonie fetare janë shtylla të qëndrueshme të ndërtesës së vetë shtetit shqiptar. Pa asnjë paragjykim fetar, drejtuesit më të lartë dhe të të gjitha niveleve të institucioneve dhe administratës shqiptare tradicionalisht vijnë nga të gjitha besimet, duke ruajtur kështu me kujdes, ekuilibrat e shoqërisë shqiptare. Por si asgjë që nuk mund të merret thjesht si e mirëqenë, shoqëria shqiptare e ruan me konservatorizëm dhe e promovon ndër breza këtë bashkëjetesë dhe harmoni. Njëri prej shkrimtarëve më të mirë bashkëkohorë shqiptarë, Ismail Kadare, të cilët ndoshta shumë prej jush mund ta njohin, e krahason harmoninë fetare shqiptare me një ngrehinë madhështore por dhe të brishtë njëkohësisht, për të cilën ai shprehet – citoj : “Nuk na lejohet asnjë sjellje e papërgjegjshme, asnjë harresë, asnjë pakujdesi, në mirëmbajtjen e kësaj ngrehine”. Një mesazh inkurajues për ta ruajtur dhe promovuar këtë vlerë unike të vendit tim e dha gjatë vizitës së tij papnore në Tiranë, në shtatorin e vitit që shkoi edhe Papa Françesku. Falë kësaj trashëgimie fetare, ndër shekuj janë konsoliduar dhe dy institucione të forta morale të shoqërisë shqiptare, siç janë: Kodi i BESË-s, që ndryshe është fjala e dhënë dhe e mbajtur; si dhe mikpritja e kodifikuar në shprehjen artë shqiptare: Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e Mikut.
Zonja dhe zotërinj,
“Tokë martirësh” do ta quante Papa Fraçesku Shqipërinë ku dhjetëra klerikë të të gjitha besimeve fetare u ekzekutuan e u përndjekur për bindjet e tyre fetare nga i vetmi regjim në botë, i cili e shpalli vendin tonë ateist. Por rënia e Murit të Berlinit dhe e “Perdes së Hekurt” të Evropës u dha mundësinë edhe shqiptarëve për të ndjerë erën e lirisë dhe të demokracisë. Në dy dekada, falë mundësive që liria ofron, Shqipëria ka kaluar nga një ekonomi totalisht e dështuar socialiste në një ekonomi tregu funksionale. Nga një vend, të cilin regjimi komunist e kishte izoluar tërësisht nga bota, në një vend të hapur dhe shumë aktiv si në nivel rajonal ashtu edhe në nivel global.
Prej disa vitesh, Shqipëria është anëtare e Aleancës më të fuqishme politike dhe ushtarake të globit, NATO-s, si dhe po vijon me vendosmëri procesin e reformave për t’u anëtarësuar në organizatën më të madhe rajonale në botë, në Bashkimin Evropian duke e konsideruar këtë si një objektiv strategjik dhe parësor. Aktualisht Shqipëria është anëtare e të gjitha organizatave rajonale të Evropës Juglindore dhe të Ballkanit Perëndimor, duke u kushtuar një vëmendje të veçantë e të madhe marrëdhënieve me vendet fqinje, por edhe me rajonet e tjera të botës.
Me ndjenjë krenarie u referohem shpesh partnerëve tanë ndërkombëtarë, të cilët e vlerësojnë lart rolin konstruktiv të Shqipërisë në rajon në dobi të paqes, stabilitetit dhe begatisë të rajonit të Ballkanit Perëndimor. Sot rajoni i Ballkanit Perëndimor e ka lënë pas periudhën e konflikteve etnike dhe fetare dhe ka hyrë në një fazë të re mirëkuptimi dhe bashkëpunimit. Agjenda evropiane mbizotëron bashkëpunimin mes të gjitha vendeve të rajonit.
Gjithashtu mbështetja e Pavarësisë së Kosovës nga më shumë se gjysma e vendeve anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (108 vende anëtare të OKB-së) dëshmoi se ishte një vendim i drejtë në mbështetje të paqes dhe sigurisë në rajonin e Ballkanit. Një vendim që nuk drejtohej kundër ndonjë vendi apo etnie tjetër, por rivendosja në vend e një të drejte të mohuar e popullsisë shqiptare të Kosovës. Sot Kosova dhe Serbia zhvillojnë bisedime për çështje të ndryshme dhe, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kanë arritur marrëveshje të rëndësishme, që ndikojnë jo vetëm në normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe qytetarëve të tyre, por edhe të të gjithë rajonit.
Por me gjithë progresin e bërë nga rajoni, ngjarjet e Kumanovës pak javë më parë në Maqedoni dëshmuan edhe njëherë për brishtësinë e stabilitetit dhe sigurisë. Ashtu si edhe partnerët ndërkombëtarë jemi shumë të interesuar për zbardhjen sa më parë dhe në mënyrë të besueshme të këtyre ngjarjeve, si dhe për mos shndërrimin e episodeve të tilla të paqarta në burim konflikti të paqenë ndëretnik. Një frymë bashkëpunimi pozitiv vërehet edhe në agjendën e përbashkët evropiane, ku vendet kandidate në Bashkimin Evropian dhe ato potenciale kandidate, po bashkëpunojnë gjithnjë e më shumë për hartimin e projekteve të përbashkëta zhvillimore. Bashkëpunimi rajonal nuk mund të jetë i plotë pa një zhvillim të qëndrueshëm dhe bashkëpunim të mirë ekonomik.
Të nderuar zonja dhe zotërinj,
Në mbyllje dëshiroj të theksoj se për të pasur një botë më të sigurt e më të paqtë, më të zhvilluar e më solidare duhet që të mos reshtim së bashkëpunuari, pa paragjykime dhe me besim në Zot. Vetëm kështu do të mund të garantojmë një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë dhe brezat që do të vijnë. Ju faleminderit!”
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





