
Tiranë, 12 qershor 2015, NOA.al – Kryeministri i vendit, Edi Rama, duke folur për zbatimin e reformës territoriale pas zgjedhjeve, deklaroi se thelbi i kësaj reforme është krijimi i njësive ekonomike të zhvillimit.
“Thelbi i reformës është krijimi i njësive ekonomike të zhvillimit. Kemi krijuar 58 njësi ekonomike zhvillimi dhe 3 bashki ku vendimmarrja ka qenë e përcaktuar nga sensi ynë i vlerësimit të të drejtave të minoriteteve”,- tha Rama.
Ndërsa u shpreh se Shqipëria është një vend i pasur por pasuritë nuk i ka pa limit, kreu i qeverisë shtoi se ky është një organizim që si asnjëherë më parë pregatitet me shumë kompetencë dhe sens përgjegjësie nga qeveria për tu vënë në dispozicion të zgjedhurve të rinj, instrumentet për të përballuar shokun e tranzicionit.
Sipas kryeministrit, tani kemi bazën për të bërë decentralizim real, pasi deri tani nuk kemi bërë decentralizim por copëtim. “Jemi një turp i gjallë në sytë e atyre që na rrethojnë sepse kemi një vend të pasur me burime ujore dhe kemi problem madhor ujin e pijshëm dhe ujitjen. Sot kemi trashëguar një sistem të copëtuar, degraduar e falimentuar ujësjellësish, që nuk e ka asnjë vend në botë. Ky është shembulli më tragjik i një decentralizimi që ka qenë një shkatërrim”,- deklaroi numri një i ekzekutivit.
Më tej ai vijoi duke thënë se sot mund të flasim për decentralizim real dhe jemi shumë të gatshëm për ta bërë këtë. Z. Rama u shpreh se na duhet një qasje e re në planifikim dhe një ndërthurje e eksperiencave ndërinstitucionale për planifikimin. Sipas kreut të qeverisë, duhet të rishikojmë prefekturat, të cilat, siç tha ai, në Shqipëri janë institucione kur në rastin më të mirë nuk duhet të jenë dhe në rastin më të keq duhet të ndryshojnë formë dhe përmbajtje.
“Duhet të rishikojmë emergjencat, bazuar në eksperiencën e përmbytjeve. Duhet të rishikojmë titujt e pronësisë. Një pjesë të madhe të tokës bujqësore e kemi pa pronësi dhe duhet ë ndajmë këtë problem me bashkitë, ku ato të ketë pjesën e tyre të përgjegjësisë lidhur me kadastrat. Është koha ti japim fund strukturave të drejtorive të bujqësisë, të cilat janë parazitare dhe struktura komuniste pa kooperativa. Qasje të re për pyjet dhe kullotat, ku ekzekutivin t’ia lëmë bashkive, por të rrisim masat e kontrollit. Duhet të shkojmë më tej me një strukturë të re jo administrimi por të politikëbërjes, ku të garantohet veprimi mes bashkive kufitare dhe qeverisë e ku investimet që lidhen me sipërfaqe që i kalojnë kapacitetet e një bashkie, të menaxhohen me ndihmën e bashkisë, në mënyrë rajonale”,- ishin fjalët e z. Rama.
Ai shprehu krenari që kjo qeveri ka arritur të ndalë me forcë fragmentimin e buxhetit dhe është fokusuar në investime me natyrë strategjike për zhvillimin urban e me kapacitet për të gjeneruar zhvillim ekonomik.
“Duhet të konsolidojmë marrëdhëniet me donatorët, pasi është shumë e rëndësishme të jemi në një tryezë dhe të bëjmë një punë të përbashkët, ku të gjitha aktivitetet të konkordojnë në një plan të madh zhvillimi”,- tha Rama.
Në nisje të fjalës së tij, Kryeministri komplimenti ministrin Blendi Çuçi për këtë reformë ndërsa u shpreh se është i nevojshëm shkurtim i mëtejshëm i burimeve parazitare njerëzore, pasi një ministër me pak njerëz bën më shumë se një ministri me shumë njerëz.
Kryeministri përmendi edhe dy gjëra, që sipas tij ishin të rëndësishme dhe që nuk duhej të kalonin pa u cekur nga ai.
“Sot ka 2 gjëra të rëndësishme: 1 Janë zgjedhjet e para në historinë e Shqipërisë pluraliste ku nuk ka fryrje të shpenzimeve të shtetit, por ka një konfirmimet të konsoliduar, sa i takon buxhetit të shtetit dhe qasjes ndaj të ardhurave të shtetit. Kjo është një arritje që duhet nënvizuar me fjalë prej nesh.
2. Me Bankën Botërore po bashkëpunojmë për të nxjerrë përfitimin më efektiv me fondin më të madh të akorduar në historinë e marrëdhënieve me Bankën Botërore; 1.2 miliard për 5 vitet e ardhshme. Mbi bazën e këtyre 1.2 miliardëve të ndërtojmë një kolonë vertebrale të të gjithë organizimit financiar dhe të shpenzimeve për ta pasur parasysh në çdo kontakt dhe në çdo negociatë me të gjithë donatorët e tjerë, për të konsoliduar një qasje sa më të përbashkët dhe të mbyllim kapitullin e fragmentarizmit e mbivendosjes së fondeve e financimeve për atë çka ne zhvillojmë në territorin tonë. Është një ushtrim i vështirë por i domosdoshëm që na çon në një fazë të re të marrëdhënies me financat publike”,- u shpreh numri një i ekzekutivit. /a.s/noa.al
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





