
Shqipëria dhe Franca do të luajnë sfidën miqësore të shtunën në “Elbasan Arena”. Deri më tani, të dy trajnerët janë treguar të kujdesshëm në lidhje me formacionet.
Francezi Dechamps paralajmëroi ndryshime për ndeshjen me kuqezinjtë, pas humbjes ndaj Belgjikës në shtëpi.
Ndërkohë, De Biazi që nuk ka grumbulluar shumë prej emrave të njohur, do të tentojë të befasojë “gjelat” me lojtarët që i ka në dispozicion.
Trajneri italian gjatë ndeshjes së kontrollit ndaj të rinjve të Akademisë së Futbollit, ka dhënë disa shenja për skuadrën që do të zbresë nga minuta e parë në Elbasan. Në portë nga minuta e parë ishte Etrit Berisha, ndërsa në qendër të mbrojtjes përkrah kapitenit Cana, u rreshtua Ajeti.
Në të djathtë Hysaj, ndërsa në krahun tjetër Aliji. Migjen Basha, Ergys Kaçe dhe Andi Lila para mbrojtës, ndërsa Roshi dhe Lenjani në krahët e mesfushës. I vetëm në sulm, Sokol Cikalleshi.
Në këtë ndeshje kontrolli, që u luajt me tre pjesë nga 30 minuta, diferencat në cilësi lanë pak vend për analiza teknike, pasi edhe rezultati përfundimtar ishte 15:0. Megjithatë, është kuptuar se De Biasi do të hedhë në fushë një formacion të kujdesshëm në fazën mbrojtëse, me një mesfushë të dendur, por që kur i jepet rasti të sulmojë portën kundërshtare.
Edhe Didier Dechamps duket se ka në mendje formacionin e së shtunës.
Francezët, që tashmë kanë arritur në Tiranë, pritet të luajnë me 4-4-2.
Në stërvitjen e së mërkurës, Dechamps përfshiu në skuadër shumë prej titullarëve. Në portë Lloris, ndërsa në qendër të mbrojtjes Varane dhe Sakho.
Në të dy krahët e mbrojtjes do të rreshtohen Jallet dhe Evra. Në mesfushë, Payet, Pogba, Sissoko dhe Nabil Fekir.
Ndërkohë në sulm këmbëshpejtët Griezman dhe Lacazette.
Berisha: Objektivi ynë vendi i dytë Në prag të miqësores së luksit me Francën, gardiani i portës kuqezi, Etrit Berisha deklaron haptazi objektivin e formacionit të De Biasit në këto eliminatore. Me gjysmën e rrugës të përfunduar dhe vendimin e KAS-it të Lozanës të shtyrë për më datën 10 korrik, shtatlarti 26-vjeçar evidenton dhe rivalin për t’u thyer në këto eliminatore.
“Ne nuk mendojmë për vendimin e KAS-it. Ia kemi lënë kompetentëve të merren me këtë çështje. Sigurisht, që duhet të mësojmë këtë vendim, por e rëndësishme është të fokusohemi tek ndeshja me Francën pastaj për ndeshjet e shtatorit. Me apo pa tre pikë do të vijojmë garën. Më e rëndësishme është ndeshja me Danimarkën, pasi i kemi rivalë direkt për vendin e dytë, që është edhe objektivi ynë”, u shpreh Berisha.
Për Etrit Berishën, siguria për objektivin e vendosur ka një pikënisje dhe një bazë nga ku buron i gjithë ky besim. “Për lojën dhe mundësitë që kemi është një objektiv real për ne. Është e rëndësishme të kualifikohemi për në Europian”, tha ai.
Yjet e Francës zbarkojnë në Shqipëri
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





