Transmetuar më 11-06-2015, 22:06

Një person mbeti i vrarë sonte në mbrëmje në qytetin e Shkodrës pasi u qëllua me armë zjarri.

Viktima është Xhabir (Vil) Shega 51 vjeç, i cili rreth një vit më parë ishte përballur me një tjetër atentat ku kishte arritur të shpëtonte.

Ngjarja ndodhi te lagjgja "Ajasem" në hyrje të qytetit të Shkodrës, afër Kalasë së Rozafës, raporton korrespondenti i NOA.al.

Viktima është qëlluar për vdekje nga persona ende të panjohur. Burime nga policia kanë bërë të ditur se Shega është qëlluar me snajper në oborrin e banesës së tij, pranë Kalasë Rozafa. Në foto shikoni pamje nga vendngjarja e sotme.

Shkaqet e vrasjes janë ende të paqarta, por nga të dhënat e para dyshohet se vrasja ka ndodhur për hakmarrje. Sipas policisë Xhabir Shega ishte një person me precedent penal dhe ka qenë i dënuar më parë.

Në gusht të vitit të kaluar atij i ishte bërë një tjetër atentat po me snajper, por kishte arritur të shpëtonte.

Policia ngriti postblloqe në disa zona të qytetit për kapjen e autorëve të krimit.

Policia tha se i ndjeri ishte i akuzuar se kishte vrarë me armë zjarri shtetasin I.B., në vitin 2001.

Sikurse raportonte atëherë NOA.al, Xhabir Shega dhe Kujtim Barbullushi, janë arrestuar më 4 maj 2005, pasi u akuzuan se më 21 tetor 2001, rreth orës 19.00, në lagjen "Partizani", Shkodër, kishin vrarë me armë zjarri Indrit Bajrin.

Për këtë ngjarje, plot 6 vjet më parë më 11 qershor 2009 u arrestua edhe Ilmir Hajdari, 33 vjeç, lindur dhe banues në lagjen "Ndoc Mazi", të qytetit Shkodër.

Xhabir Shega, pas arrestimit kishte bërë 12 vjet burgim dhe doli nga burgu më 2014, ku në muajin gusht iu bë atentati i parë me snajper.

Ishte pikërisht 9 gusht 2014, kur Xhabir Shega mbeti i plagosur së bashku me Sadetin Lohjan teksa u qëllua me snajper nga muret e kalasë së Shkodrës.

Policia asokohe e lidhi plagosjen e dyfishtë me vrasjen e ndodhur më 6 qershor në lagjen “Bahçallëk”, ku u vra Enver Barbullushi.

Në ngjarjen e mbrëmjes së 6 qershorit u shënuan një i vdekur dhe dy të plagosur në lagjen “Bahçallëk” të qytetit të Shkodres.

Enver Barbullushi 52 vjeç u vra me armë zjarri kallashnikov në një lokal pranë një pike karburanti në këtë zonë, ndërsa mbetën të plagosur, i biri i tij Samet Barbullushi 25 vjeç dhe Nezir Shega 46 vjeç.

Sipas dëshmitarëve në vendngjarje babë e bir ishin duke pirë kafe në lokal së bashku me 46-vjecarin Shega, kur pranë atyre u afrua një automjet tip Golf nga ku dolën 2 persona të cilët qëlluan me breshëri në drejtim të lokalit ku ndodheshin viktima dhe të plagosurit.

Përpara shkrepjes së armës, 25 vjeçari Barbullushi u ka kërkuar autorëve të mos qëllojnë.

Menjëherë pas kryerjes së krimit, 2 autorët, si dhe 2 persona të tjerë që po i prisnin brenda në automjetin tip Golf janë larguar nga vendi i ngjarjes.

Pak minuta pas kryerjes së krimit autorët kanë djegur automjetin në një kodër të fshatit Mali i Hebajve në komunën e Bërdicës, 3 km nga vendi i krimit.

Dy ishin pistat e kësaj vrasjeje, njëra për gjakmarrje dhe tjetra për konflikte mes viktimës dhe autorëve. /a.s/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd