Transmetuar më 11-06-2015, 20:10

Tiranë, 11 qershor 2015, NOA.al – Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, i pranishëm në një aktivitet elektoral në njësinë 10 në kryeqytet, ka ftuar të gjithë qytetarët të vijojnë fushatën me qetësi dhe dashuri e jo me arrogancë.

“Ju ftoj ta vazhdojmë fushatën me qetësi dhe dashuri. Shqiptarët kanë nevojë për energji pozitive jo për arrogancë. Arroganca është arma e të dobëtit. Arma e të fortit është toleranca dhe gjithpërfshirja”,- tha Meta.

Nga njësia 10, kreu i Kuvendit deklaroi se LSI gjithmonë ka qenë një shembull i përkryer i punësimit dhe ideve të reja. Sipas tij, situata ekonomike kudo, në rajon dhe BE nuk është dhe aq rozë.

“Ne jemi një ekonomi e integruar dhe efektet e kësaj krize rajonale dhe ndërkombëtare ndihen. Ne jemi me këmbë në tokë dhe jemi të bindur se jemi në drejtimin e duhur. Ne i kuptojmë vështirësitë e qytetarëve dhe ato pakësohen dhe zgjidhje më të shpejta ofrohen duke mbështetur drejtimin e duhur. Jemi në një garë pa kundërshtarë në konceptin e rivalitetit në program, në ide etj. Kjo ka një rrezik, atë të vetëkënaqësisë dhe ne duhet të jemi të kujdesshëm dhe të vëmendshëm të mos biem pre e një euforie e ta bëjmë garën me veten”,- ishin fjalët e Metës.

Ai vijoi më tej duke thënë se nuk beson se në 18 muaj kanë ndodhur mrekulli të veçanta por janë përballur disa rreziqe themelore për ekonominë tonë, është frenuar një borxh i papërmbajtur, janë vënë pikat mbi ‘i’ për disa nga drejtimet kryesore ku duhet të strukturoret ekonomia e janë bërë disa reforma të rëndësishme, ndërsa disa të tjera janë në proces.

“Ndarja administrativo-territoriale është një reformë madhore dhe kërkon zgjedhjen me mençuri të kandidatëve më të mirë, në mënyrë që të ndihen efektet e para të një epoke të re në pushtetin vendor që merr përgjegjësi të reja dhe që do të ketë një llogaridhënie më të lartë”,- tha ndër të tjera Ilir Meta. /a.s/noa.al

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd