Transmetuar më 11-06-2015, 19:20

Gjenevë/Zvicër, 11 qershor 2015, NOA.al – “Mbrojtja sociale dhe e drejta për punë të denjë, janë dy nga prioritetet madhore të qeverisë shqiptare”. Ky është angazhimi i shprehur nga Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi në fjalën e tij adresuar Sesionit të 104 të Konferencës Ndërkombëtare të Punës, i cili po mban punimet në Gjenevë të Zvicrës.

Klosi evidentoi faktin se sot Shqipëria po vë në zbatim Strategjinë e Punësimit dhe Aftësive 2014-2020, e cila integron politikat ekonomike me politikat e punësimit, të edukimit dhe të sipërmarrjes, me qëllimin kryesor rritjen e punësimit.

“Ne po punojmë fort për zbutjen e varfërisë dhe jemi të bindur se kjo arrihet përmes rritjes ekonomike dhe punësimit. Qeveria ime është angazhuar që deri në fund të mandatit, në vitin 2017, të krijojë 300 mijë vende pune. Deri në fund të vitit të kaluar ne kemi krijuar 93 mijë vende pune të siguruara, duke eliminuar kështu edhe punën në të zezë”, – tha ministri Klosi.

Ministri ka bërë me dije se objektivi i ardhshëm në Arsimin e Formimit Profesional është vendosja e sistemit dual, ndërsa një tjetër reformë e renditur nga ministri Klosi ishte edhe ajo për pensionet, e cila sipas tij solli pensione deri në 40 për qind më të larta dhe sigurimin e një pensioni social për të gjithë ata persona që deri dje për shkaqe të ndryshme nuk arrinin të përfitonin asgjë. /a.s/noa.al

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd