Transmetuar më 11-06-2015, 18:24

Tiranë, 11 qershor 2015, NOA.al – Kandidati i djathtë për bashkinë e Tiranës, Halim Kosova, në një takim elektoral tek shkolla "Bajram Curri", gjatë ditës së sotme deklaroi se do të bashkëpunojë në çdo drejtim me qytetarët dhe se do të jetë me tolerancë zero ndaj korrupsionit.

“Motoja ime është bashkëpunimi me qytetarët dhe zero tolerancë ndaj situatave korruptive. Fondet të shkojnë në të mirë të çdo qytetari aty ku ai banon. Unë jam propozim i PD dhe i jam mirënjohës vazhdimisht PD. Këtë vlerësim do t’ia shpërblej me punë gjithë popullit të Tiranës, që kudo ku kam shkuar, demokratë e socialistë më kanë afruar një mbështetje maksimale, e cila përkthehet në detyrim, që bashkinë e Tiranës ta vëmë në shërbim të qytetarëve dhe për qytetarët, në bazë të interesit qytetar”,- tha Kosova.

Ai deklaroi se në stafin e tij të punës do të ketë vend vetëm merita.

“Punoj sa për të gjithë bashkë dhe nuk ka burrë nëne që të më kalojë ritmin tim. Merita dhe përgjegjshmëria, toleranca zero për korrupsionin janë ato që nuk i kam falur dhe nuk kam për ti falur ndonjëherë.  Ky qytet ndryshon duke pas njeriun e duhur në vendin e duhur”,- deklaroi ndër të tjera kandidati i djathtë. /a.s/noa.al

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd