Transmetuar më 11-06-2015, 18:03

Lushnje, 11 qershor 2015, NOA.al – Kryeministri Edi Rama ka vizituar ditën e sotme Lotin I në aksin rrugor Lushnje-Berat, ku sipas tij, përmasa e gjelbër duhet të jetë një element i rëndësishëm  në projektimin veçanërisht të rrugëve turistike.

“T’i kushtojmë vëmendje edhe pjesës së gjelbërimit, që të bëhet një rrugë turistike e mirëfilltë, që kush shkon e vjen nga Berati, të ketë një udhëtim që fillon që këtu dhe thith drejt një atraksioni të madh turistik,” – u shpreh Kryeministri.

Loti I i rrugës Lushnje-Berat nga sot është i kalueshëm, ndërkohë që në pak muaj do të jetë funksionale e gjithë rruga. Me një investim prej 490 milionë lekë, Loti I prej 5.5 kilometrash është ndërtim tërësisht i ri. Po punohet për sinjalistikën, ndriçimin dhe gjelbërimin. Për të rritur standardet dhe sigurinë rrugore, gjurma e rrugës u projektua e re,  janë shmangur zonat e banuara dhe rruga, 11 metra e gjerë, me dy korsi, kalon  përmes fushave në gjithë gjatësinë e saj.

Ky Lot është një nga tre lotët e aksit  Lushnje-Berat, ndër akset e rëndësishme të infrastrukturës jugore, me një impakt të madh për një nga rajonet turistike dhe bujqësore të vendit.

Për shkak të gjendjes së rrënuar, jashtë çdo standardi, ishte kthyer në një problem jetik për banorët dhe veçanërisht, për fermerët e kësaj zone. Ndërtimit të saj iu dha prioritet dhe pritet që brenda dy muajsh e gjithë rruga të jetë funksionale. /a.s/noa.al

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd