Transmetuar më 11-06-2015, 17:40

Londër/ Angli, 11 qershor 2015, NOA.al – Një debat aspak harmonik është zhvilluar mes ambasadorit shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar, Mal Berisha dhe ministrit të Jashtëm grek, Nikos Kotzias, gjatë një takimi në Universitetin Oxford, me datë 10 qershor 2015.

Ministri grek po prezantonte politikën e jashtme greke, ndërsa gjatë bisedës ai hodhi akuza të rënda ndaj Shqipërisë kur duke treguar një hartë tha: “…Këto plane janë të njëjta dhe po aq kontraproduktive sa planet e atyre që ëndërrojnë për një Shqipëri të madhe dhe prodhojnë harta (të një Shqipërie të Madhe) e cila përfshin pjesë të Greqisë së  Veriut dhe ishujve në Detin Jon”.

Ministri grek u shpreh se partneri i ri në qeveri, partia PDIU, e cila është “pasardhëse” e partive naziste nga koha kur rajoni ishte në pushtimin nazist”, i dëmtojnë marrëdhëniet Greqi-Shqipëri.

Kotzias shprehu shqetësim mbi atë që ai e cilësoi si “shkeljen e të drejtave të minoritetit grek indogjen në Shqipëri”, ndërsa më tej u ndal tek mosrespektimi i marrëveshjeve ndërkombëtare nga ana e Shqipërisë.

Kotzias shtoi se shqiptarët duhet të vlerësojnë faktin se Greqia vazhdon të jetë burim të ardhurash monetare nga emigrantët shqiptarë që punojnë në Greqi dhe se iu është  dhënë  e drejta e shtetësisë  fëmijëve të  emigrantëve të lindur në Greqi. Biseda e tij u bë në një sfond me një hartë të vjetër të Europës.

Ambasadori shqiptar Mal Berisha ndërhyri menjëherë dhe i kujtoi atij se harta me të cilën po ilustronte bisedën ishte një hartë gjeopolitike të cilës i mungonin dy vende të Ballkanit: Kosova dhe Mali i Zi.

“Në Shqipëri nuk ka patur kurrë dhe as që ka parti naziste. Një parti e tillë dihet se ekziston në Greqi dhe sipas mediave greke ajo është anëtare e parlamentit  grek. Nëse bëhet fjalë për nënkryetarin e parlamentit shqiptar, ai nuk ka asnjë lidhje me nazizmin dhe në Shqipëri nuk ka as një parti ekstremiste as të djathtë as të majtë. E drejta për të zgjedhur dhe për tu zgjedhur në Shqipëri garantohet me Kushtetutë dhe Parlamenti Shqiptar është  një  organ Sovran”,-  tha ambasadori Berisha.

Ai shtoi se asnjë organizatë ndërkombëtare nuk ka përmendur ndonjëherë praninë e partive ekstremiste në Shqipëri, ndërsa sa i takon trajtimit të minoritetit grek në Shqipëri, Ambasadori shqiptar i tha ministrit grek se ata gëzojnë tëra të drejtat sipas kartave ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.

“Shqiptarët, trajtimin njerëzor të grupeve tjera etnike  e kanë në traditën e tyre. Shqipëria është shembulli më unik në Europë në mënyrën se si i trajtoi hebrejtë gjatë periudhës së Holokaustit duke  e trefishuar popullsinë e tyre, pa humbur asnjë jetë, në një kohë kur në tërë Europën numri i tyre u reduktua për shkak të bashkëpunimit të vendeve ku ishin ata me nazistët”- deklaroi Mal Berisha.

Sa iu takon emigrantëve shqiptar, Ambasadori tha se është e vërtetë që ata kanë sjellë të ardhura në Shqipëri, por janë po ata që në 25 vjet kanë kontribuar në zhvillimin ekonomik të Greqinë. /a.s/noa.al

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd