
Roskovec, 11 qershor 2015, NOA.al- Kryeministri Edi Rama thotë se Roskoveci nga një territor i harruar dhe i braktisur, do të kthehet në drejtimin e duhur të rilindjes.
Në një takim elektoral në Roskovec në mbështetje të kandidates Majlinda Bufi, Rama tha para të pranishmëve se vota për kandidaten e majtë është investimi për një mbështetje të fuqishme dhe të vendosur të Aleancës për Shqipërinë Europiane.
“Në këtë fushatë, ne kemi dy pamje e dy rrugë tërësisht të ndryshme. Pamjen e një fushate që flet pa pushim, por nuk thotë asgjë për zgjedhjet e 21 Qershorit dhe për problemet që duhet të zgjidhin ata. Dhe pamjen tjetër, pamjen e fushatës sonë, ku flitet për familjen, për gratë e vajzat, për fshatin dhe për të gjitha ato problem që çdo familje ka sapo del nga dera shtëpisë. Ato probleme që janë probleme të zgjidhshme, por që për t’u zgjidhur kanë nevojë për një shtëpi të përbashkët që funksionon”, deklaroi Rama.
Ai tha se bashkia është shtëpia e përbashkët e të gjithë atyre që jetojnë në territorin e saj dhe është shtëpia ku familjet zgjidhin probleme që nuk i zgjidhin dot vetë dhe se ajo fillon sapo hapet derat e shtëpisë, tek rruga përpara shtëpisë, tek plehrat që duhen mbledhur, tek çerdhja kopshti e shkolla.
Sipas tij, në 21 Qershor nuk votohet se kush e bën më të gjatë sherrin e te enjteve në Parlament, por votohet se kush e bën më të shkurtër rrugën e njerëzve që duan të dalin nga varfëria.
Në këtë linjë Rama tha se në 21 Qershor nuk votohet për të marrë dritat qyl, për të pasur taksat më të ulëta në botë, siç thotë PD dhe as për të përmbysur reformën territoriale, duke nënvizuar se copëtimi i Roskovecit në shumë bashki dhe komuna ka penguar zhvillimin ekonomik.
Kryesocialisti tha se rruga e PD-së është një rrugë që vazhdon në drejtimin e paditur dhe në atë rrugë, ata kërkojnë të gjejnë budallenj dhe aty ku të gjejnë budallenj të marrin edhe vota, për t’i bërë dritat qyl, për t’i bërë taksat më të ulëta , për të përmbysur reformën administrative dhe për ta bërë Shqipërinë, nga e para, rrumpallë, siç ishte përpara 23 Qershorit.
“Ne ju themi demokratëve se në 21 Qershor, ata votojnë për çerdhen ku çojnë fëmijën e vogël, për kopshtin dhe shkollën ku çojnë djalin dhe vajzën, për mjediset e përbashkëta në bashkinë ku jetojnë, për plehrat, transportin, ujin pijshëm dhe ujin në parcelë”, tha më tej shefi i mazhorancës, duke shtuar se këto zgjedhje nuk kanë lidhje fare me Partinë Demokratike në fushatën e saj dhe me aftësitë qeverisëse të saj.
Sipas tij zgjedhjet e 21 qershorit kanë lidhje drejtpërdrejt me programin e Majlinda Bufit dhe me vizionin e mazhorancës për ta transformuar Shqipërinë, duke transformuar jetën e njerëzve atje ku banojnë, për ta transformuar Shqipërinë, duke i dhënë fund, siç sipas tij është dhënë fund në çdo bashki ku drejtojnë sot socialistët dhe progresistët, asfaltit elektoral dhe duke çelur epokën e Rilindjes Urbane.
Kryeministri deklaroi se në 21 Qershor, qytetarëve ju duhet një shërbëtor, nuk ju duhet një rreshter i SHQUP-it dhe se në 21 Qershor duhet të zgjedhin për familjen, jo për partinë.
“Mbi të gjitha, të dashur demokratë të Roskovecit, unë jam i sigurt se duke zgjedhur Majlindën, ju jepni një mesazh, mesazhin e duhur, Partisë Demokratike, që të gjejë edhe ajo drejtimin e duhur, se pa opozitë nuk shtyhet. Pa opozitë nuk është më e lehtë, është më e vështirë, pa alternativë nuk është më e lehtë, është më e vështirë”, u shpreh Rama.
Ai tha më tej se sa më shumë të investohet besimi përmes votës nga qytetarët, aq më i madh do jetë borxhi i mazhorancës ndaj qytetarëve./a.y/noa.al
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





