Transmetuar më 11-06-2015, 14:18

Tiranë, 11 qershor 2015, NOA.al- Kryeparlamentari Ilir Meta në seancën e sotme parlamentare ka replikuar me deputetin demokrat Astrit Patozi.

Ligjvënësi i djathtë tha se mazhoranca po intimidon kandidatët e djathtë dhe se po ushtron presion mbi zgjedhësit.

Duke reaguar kreu i Kuvendit tha se spoti i LSI nuk është thjesht që qytetarët shqiptarë të mos shesin votën, por se është spot që qytetarët shqiptarë të denoncojnë përveçse kësaj, cilindo që kërkon të blejë votën e tyre, që u bën presion, dhe që kërkon të deformojë vullnetin e tyre.

“Juve ju dhemb shumë ai spot, sepse ju për zgjedhjet më të mira mbani ato të vitit ‘96 dhe së dyti si modelin më të mirë të standardit të zgjedhjeve, keni standardet e Fiqos në Vorë. Pas atij spoti që keni ngritur shumë shqetësime ju për zgjedhjet, kanë filluar denoncimet dhe media po paraqet se si në mënyrë mafioze janë shtuar në listat e Bashkisë Vorë që drejtohet po nga Fiqo, mbi 600 persona në mënyrë mafioze. Do të ketë edhe gjëra të tjera se si ka ndodhur ky proces. Dhe meqenëse keni ngritur shqetësimet për Durrësin apo për Kavajën, ky numër në raport me numrin e zgjedhësve është shumë herë më i madh. Nuk po hyj këtu tek problemi i miellit që shpërndahet dhe që kapet etj, etj. Këto janë histori të tjera dhe le të merret media se nuk do të merrem unë me këto çështje”, tha Meta.

Lidhur me pretendimet për kontrolle të qëllimshme, Meta deklaroi se shpreson që t’i ketë thënë kandidati i Vorës, Fiqiri Ismaili që i ka parë dokumentet nga Ministri i Bujqësisë dhe në prani të Kryeministrit, që kanë qenë informacione të një shërbimi të pavarur.

Në vijim ai i tha deputetit demokrat se bën gjithë javën plazh dhe vjen vetëm të enjten në seancë dhe flet për manipulime dhe fajin ua faturon të tjerëve se përse njerëzit e kanë braktisur.

Meta kërkoi nga misioni i OSBE/ODIHR-it dhe gjithë vëzhguesit ndërkombëtarë që të sjellin sa më shumë vëzhgues në të gjitha zonat, sidomos aty ku PD ka pretendime.

Në këtë linjë ai kërkoi nga media që të monitorojë me transparencë maksimale situatën para zgjedhjeve, për të denoncuar cilindo që synon të cenojë standardin e zgjedhjeve./a.y/noa.al

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd