
Patos, 11 qershor 2015, NOA.al- Kryeministri Edi Rama deklaron se në 21 qershor, shqiptarët do të votojnë për komunitetin dhe për çfarë i intereson çdo familjeje jashtë derës së shtëpisë.
Në një aktivitet elektoral paraditen e sotme në Patos, në mbështetje të kandidates Rajmonda Balili, Rama tha se Bashkia e Patosit nuk është më ajo që ka qenë deri sot, por është një bashki e madhe, e cila përfshin jo vetëm qytetin, por edhe një sërë komunash të tjera.
“Komuna ku, fare mirë, të gjithë mund ta bëjnë dallimin e madh mes nesh, mes vizionit dhe aftësisë sonë për të qeverisur komunitetin dhe atyre që janë përballë nesh dhe të cilët nuk kanë asgjë tjetër për t’i ofruar komuniteteve dhe qytetarëve shqiptarë, përveç një përralle të vjetër të së kaluarës, që shqiptarët e mbyllën më 23 Qershor të 2013-ës”, tha Rama.
Ai u shpreh më tej se Partia Demokratike, ka dalë nëpër Shqipëri për të kërkuar dhe për të peshkuar budallenj, por nënvizoi se në Patos nuk ka fare se çfarë peshkon, pasi sipas tij me Rajmonda Balilin dhe Aleancën për Shqipërinë Europiane, do të realizohet fitorja më e thellë e këtyre viteve, në zonën që përfshin Bashkia e re e Patosit.
Ai e cilësoi si fushatën më të bukur, pasi tha se si në asnjë fushatë tjetër, vajzat dhe gratë janë në vendin e tyre, pas kaq shumë vitesh dhe do të votojnë për t’u përfaqësuar në kuvendet e reja vendore me 50% të anëtarëve të këshillave bashkiakë.
Në vijim ai tha se kjo është po ashtu, fushata më e rëndësishme se asnjëherë tjetër, për fshatin, duke thënë se fshati ka zgjedhur edhe në të kaluarën, por tani ka mundësinë që duke zgjedhur drejtimin e duhur, të ketë pranë një mbështetje që nuk e ka pasur kurrë më parë.
Kryesocialisti nënvizoi se bashkia është shtëpia e përbashkët e komunitetit dhe nga mënyra sesi administrohet kjo shtëpi e përbashkët varet se çfarë jete kanë anëtarët e çdo familjeje, kur dalin nga dera e shtëpisë.
“Ne besojmë që është dita për të vendosur jo për Partinë Demokratike, por për si do të jetë jeta jashtë dyerve të shtëpisë, edhe për ata që janë anëtarë dhe mbështetës të PD-së. Kjo është arsyeja, pse ne ju bëjmë një apel të gjithë familjarëve, prindërve, të rejave dhe rinjve që janë pjesë e PD-së, që në këto zgjedhje të zgjedhin drejtimin e duhur, në mënyrë që të krijojë edhe mundësinë që Partia Demokratike të kthehet nga drejtimi i paditur në drejtimin e duhur”, deklaroi Rama./a.y/noa.al
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





