Transmetuar më 10-06-2015, 19:00

Mitrovicë/Kosovë, 10 qershor 2015, NOA.al – Presidenti Bujar Nishani, i pranishëm sot në ceremoninë solemne të rivarrosjes së eshtrave të Heroit Kombëtar, Isa Boletini, e cila u mbajt në Stadiumin “Adem Jashari” të qytetit të Mitrovicës, në Republikën e Kosovës, e cilësoi heroin si krenarinë shqiptare në orët më tragjike të shqiptarisë.

“Sot e kemi dhe ndihemi më të fortë, sepse Isa Boletini ishte dhe mbetet simboli i amzës shqiptare në kohë!  Sot e kemi dhe ndihemi më krenarë, sepse Isa Boletini ishte krenaria shqiptare në orët më tragjike të shqiptarisë! Isa Boletini është kryedëshmori ynë, bëma, gjesti, shembulli, thagma, kolona e tempullit shqiptar ndër mote”,- tha Presidenti i Shqipërisë.

Ai deklaroi se sot e kemi Isa Boletinin dhe i rrëfehemi se shqiptarët kanë dy shtetet e tyre të Pavarura në Ballkan, të lira e demokratike.

Për kreun e shtetit, Shqipëria dhe Kosova, dy shtete shqiptare janë shndërruar në faktor të paqes dhe stabilitetit të qëndrueshëm në Ballkan, ndërsa janë përballur me shumë sfida tragjike për të arritur deri këtu.

“Duhet të jemi krenarë për sukseset tona, të qartë për vështirësitë dhe këmbëngulës për standardet evropiane që duam për shoqëritë tona. Ne jemi një komb evropian qysh në ngjizje. Në mendjet dhe zemrat tona është vetë identiteti i këtij kontinenti. Rruga jonë e vetme, por edhe e mundur, është ajo e integrimit, e bashkimit me familjen e madhe evropiane. Shqipëria evropiane, Kosova evropiane, Kosova anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Kosova në NATO, Ballkani evropian janë mundësia dhe Shansi ynë historik”,- u shpreh z. Nishani.

Ai vijoi më tej duke thënë se miqtë tanë perëndimorë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Evropa, NATO-ja janë aleatët dhe partnerët tanë. Sipas Nishanit, me ta ndajmë të njëjtat vizione për paqen dhe demokracinë dhe ndaj tyre duhet të jemi mirënjohës për mbështetjen pakufi që na dhanë bash atëherë kur mizoria e kasapit të Ballkanit rrezikonte vetë ekzistencën e shqiptarëve. /a.s/noa.al

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd