Transmetuar më 10-06-2015, 18:12

Tiranë, 10 qershor 2015, NOA.al – Kandidati i djathtë për bashkinë e kryeqytetit, Halim Kosova, në një takim me qytetarët, gjatë ditës së sotme ka deklaruar se do të mundësojë që Tirana të ketë 24 orë ujë të pijshëm.

“Do të ketë ujë 24 orë pa ndërprerje, me parametra siç duhen në mënyrë që të përdoret për tu pirë nga banorët. Është një projekt që ka përfunduar në tavolinë dhe që ka gjithë fondet përkatëse për tu realizuar. Duhet vetëm puna për tu finalizuar kjo çështje”,- tha Kosova.

Ai premtoi gjithashtu uljen e taksave 30% për familjet, si çelësi i suksesit për vende pune. Kandidati i djathtë deklaroi se 100 rrugë do të bëhen brenda 2 viteve të para dhe fshatrat do të lidhen me rrugët nacionale, në mënyrë që të kemi një standard për të gjithë.

“Do të vendosen 2 km linja rezervë, linja që bëjnë të mundur që të gjithë telat që ne shikojmë të endur zvarrë, ti vendosim nën tokë. Bashkia e Tiranës, çdo fond që do të ketë në dispozicion do ta çojë në shërbim të qytetarëve. Nuk jam një politikan tipik, por një menaxher që i duhet Tiranës. Puna ime nuk do të fillojë nga madhështia e projekteve, por bërja e tyre realitet.”,- tha ndër të tjera Kosova.

Kandidati i djathtë bëri me dije se do të futet dhe do të identifikojë në çdo familje hallet dhe problemet e tyre, e do të marrë gjithmonë e më shumë përgjegjësi për qytetin  Tiranës.

I pyetur nga një prej të pranishmëve se ku do ta pijë kafen me Edi Ramën pas zgjedhjeve të 21 qershorit, në zyrën e tij si kryebashkiak apo në shtëpinë e kryeministrit, Kosova u shpreh: “Asnjëherë nuk ka vënë kondita se ku mund ta pi kafen me një njeri që e do puna. Unë pi kafe kudo që ta kërkojnë interesat e qytetarëve, në mënyrë që projektet e lëna pas dore si sherre politike, të vijnë në duart e qytetarëve”.

/a.s/noa.al

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd