



Sa nga ju ruajnë ende kontakte me mikun apo miken më të mirë të fëmijërisë? Mund të ndodh shpesh që për shkak të ndryshimit të shkollës së fëmijëve, të punës së prindërve apo të transferimit familjar nga një vend në tjetrin, miqësitë e para nuk i rezistojnë kohës.
Holly Boddington-Bullett është një vajzë 7 vjeçare angleze e cila po përballet me shkëputjen e parë nga shoqja e saj e ngushtë Evie, me të cilën ka ndarë gjithçka deri më tani, që nga jeta në lagje, shkolla etj. Historia e këtyre dy vogëlusheve raportohet nga sajti “Metro”.
Familja e Evie, u largua nga qyteza e Deanshanger, në Northamptonshire, për t’u transferuar në një qytet tjetër, por para se të ikte e vogla i dhuroi Holly një pikturë me një lule, ku shkruhej “Më vjen keq që po iki”.
Holly, e konsideron si kujtim të çmuar dhe të dhimbshëm në të njëjtën kohë, kështu që bindi nënën e saj Julie Ann, që ta nxjerrë në shitje në eBay, rrjeti popullor online i shitje- blerjeve. Synimi i saj ishte që të fitonte disa sterlina për t’i blerë Evie një byzylyk miqësie, në mënyrë që të ruhet shoqëria mes tyre edhe në të ardhmen.
Historia e saj preku shumë njerëz dhe ofertat për pikturën kapërcyen shumën e një mijë sterlina./a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





