
Vlorë, 10 qershor 2015, NOA.al- Gjykata e Vlorës vendos si masë sigurie “arrest me burg” për dy mjekë dhe dy infermierë në Spitalin Psikiatrik Vlorë, të dyshuar për veprën penale “korrupsion pasiv”.
Ata akuzohen se merrnin para për dhënien e kempit.
Ata janë arrestuar nga policia, në bazë të një hetimi të nisur kryesisht nga Prokuroria e Vlorës, pas transmetimeve të emisionit “Fiks Fare” më 28 maj nga ku rezulton se ka dyshime të arsyeshme se punonjës të Spitalit Psikiatrik Vlorë, kanë lëshuar dokumente mjekësore, fletë drejtimi për në KMCAP, kundrejt kryerjes së pagesave të parregullta, me qëllim marrjen e shërbimeve të kërkuara.
Nga hetimet e deritanishme lidhur me këtë procedim penal janë krijuar dyshime të arsyeshme dhe të bazuara në prova se punonjësit e Spitalit Psikiatrik Vlorë kanë lëshuar dokumente mjekësore, fletë drejtimi për në KMCAP, kundrejt kërkimit dhe marrjes së përfitimeve të parregullta, me qëllim kryerjen e veprimeve të lidhura me detyrën dhe funksionin e tyre.
Konkretisht, ekzistojnë dyshime të arsyeshme se shtetaset Diana Brahimuço, Laureta Selimaj, me detyrë mjeke pranë Spitalit Psikiatrik Vlorë, si dhe shtetasit Lindita Kanushi dhe Arsen Kadënaj, me detyrë infermierë pranë Spitalit Psikiatrik Vlorë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kërkuar dhe kanë marrë nga shtetasi E.T. një shumë prej 50.000 lekë, me qëllim lëshimin e dokumentit mjekësor, fletë drejtimi për në KMCAP për vëllain e tij shtetasin A. T.
Lidhur me këto hetime me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata e Vlorës gjatë ditës së sotme ka vendosur që të caktojë masën e sigurimit “arrest në burg”, për shtetasit Laureta Selimaj, Lindita Kanushi dhe Arsen Kadënaj, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, të kryer në bashkëpunim, ndërsa vijon të jetë në kërkim Diana Brahimuço,./a.y/noa.al
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





