


Tiranë, 10 qershor 2015, NOA.al- Kryeminsitri Edi Rama dhe kreu i LSI Ilir Meta, në një takim elektoral në Kukës kërkuan mbështetjen për kandidatin e majtë Hasan Halili dhe për Aleancën për Shqipërinë Europiane.
Rama vlerësoi reformën territoriale duke thënë se riorganizoi shtetin nga 400 bashki e komuna në 61 njësi të reja ekonomik zhvillimi si dhe krijoi kushtin për të pasur 50% gra dhe vajza në kuvendet e reja vendore.
Kryesocialisti tha se bashkia është shtëpia e përbashkët e komunitetit, duke shtuar se është një shtëpi e përbashkët që si çdo shtëpi dhe familje nuk mund të jetë një odë burrash, por shtëpia e përbashkët, ku gra, vajza, burra dhe djem kuvendojnë dhe marrin vendimet e duhura.
Ai u zotua para banorëve të Kukësit se uji i pijshëm do jetë një problem që do i përkasë të shkuarës.
Rama garantoi se transformimet që kanë prekur në 18 muaj shumë qytete në vend, do të prekin pas 21 qershorit edhe Kukësin.
“Tre gjëra ka kërkuar Kukësi nga qeveria në Tiranë. Ujin e pijshëm, zgjidhjen e problemit të patates në Shishtavec, një pikë prodhuese fantastike për gjithë zonën verilindore dhe rrugën që lidh atë zonë me trregun. Asnjëra nga këto nuk u bë. Unë u them se uji i pijshëm është i zgjidhur, rruga drejt Shishtavecit është drejt përfundimit. Ne do shkojmë atje shumë shpejt për të lidhur pikën më intensive të prodhimit të patates përmes një rruge të re të standardeve europiane dhe që në prag të vjeshtës do e keni gati”, deklaroi Rama.
Ai shtoi më tej se problemi i krijimit të tregut të patates, do bëjë një kthesë të madhe për Kukësin në drejtimin e duhur, duke nënvizuar se janë nënshkruar marrëveshjet e para për ta shitur pataten e Kukësit në eksport.
Rama tha se demokratët janë përgjegjësit e drejtpërdrejtë për plagët e Kukësit, duke nënvizuar se në tetë vjet nuk u bë asgjë, ndërsa tha se e majta ka treguar në 18 muaj provat e kthimit të gjërave në drejtimin e duhur.
Kreu i qeverisë garantoi se pas 21 qershorit do të nisë puna për ndërtimin e kompleksit të shkollave të mesme si qendra komunitare, duke thënë se do jetë një nga komplekset më të bukrua në Shqipëri, i cili do të realizohet brenda dy vitesh.
“Koka e SHQUP-it është në një zbrazje të pandalshme. Pyetja është çfarë do të ndodhë pas 21 qershorit përtej derës së shtëpisë, aty ku duhet të jetë transporti urban, çfarë do të ndodhë me çerdhet, kopshtet dhe shkollat etj. Këto janë problemet që trajtojnë zgjedhje te 21 qershorit, ndërsa PD bën fushatë duke thënë që në 21 qershor do keni drita qyl, do keni taksat më të ulëta në botë. Nëse unë do isha demokrat do votoja Hasan Halilin për ta shkundur PD dhe për t’i dhënë vendit një opozitë të denjë”, u shpreh Rama.
Në fjalën e mbajtur para qytetarëve kreu i LSI premtoi hapjen e 500 vendeve të reja pune brenda dy vitesh. Ai tha se bashkë me deputetët e majtë do trokitet nga Kryeministri, te drejtorët dhe donatorët në mënyrë që të mbështeten projektet për të çrrenjosur varfërinë.
“Për të mirën e Kukësit ftoj dhe deputetin Flamur Noka, se ne për Kukësindo punojmë dhe bashkëpunojmë me të gjithë. Se në 21 qershor votohet për zgjidhjen e problemeve dhe jo për debatin e së enjtes. Konflikti nuk sjell asnjë të mirë për asnjë shqiptar, ndaj votoni për alternativën e bashkëpunimit”, deklaroi Meta.
Gjithashtu, ai nënvizoi se koalicioni i majtë ka një program të qartë dhe konkret për të luftuar varfërinë dhe për të hapur 500 vende të reja pune brenda dy vitesh. Sipas Liderit të LSI-së, të rinjtë kuksianë do të shohin të ardhmen në vendlindjen e tyre, pasi Kukësi nuk e meriton varfërinë me të cilën ndeshet sot.
Ai tha se do t’i jepet zgjidhje një herë e mirë problemit të ujit të pijshëm në qytetin e Kukësit pas rishikimi që qeveria i bëri projektit të dështuar të qeverisë së mëparshme.
Në vijim të fjalës së tij, z. Meta deklaroi se qeveria ka marrë një vendim të rëndësishëm për të lehtësuar detyrimet e komunitetit të Shkodrës që ka vuajtur nga përmbytjet e viteve të mëparshme dhe se kjo praktikë do të ndiqet për të ndihmuar edhe familjeve e të përmbyturve në Kukës./a.y/noa.al
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





