
Tiranë, 10 qershor 2015, NOA.al- Pas reagimit të kryedemokratit Lulzim Basha dhe ish kreut të PD Sali Berisha, Partia Demokratike në një qëndrim zyrtar e cilëson vendimin e Gjykatës së Lartë si një lajm i zi për drejtësinë.
Deputeti demokrat Eduard Halimi në dalje për mediat nga selia blu tha se pushimi i çështjes nga Gjykata e Lartë në ngarkim të socialistëve Pjerin Ndreu dhe Arben Ndoka të akuzuar për dhunë në Kuvend, është një vendim i turpshëm.
“Thonë se në shtëpinë e të varurit nuk duhet të përmendet litari. Dhe litari që la jashtë sot Gjykata e Lartë me vendimin e saj të turpshëm, është një litar që kërkon të mbytë përfundimisht drejtësinë dhe të drejtat e qytetarëve shqiptarë. Që e keqja dhe e liga po çojnë vendin në një shteg që po mbytet. Është një vendim i cili tregon për të gjithë shqiptarët standardin e rrënuar të kësaj Gjykate, të kapjes, të nënshtrimit dhe lakut që po mbyt drejtësinë dhe qytetarët dhe vendosjes së një regjimi autoritarist”, tha deputeti demokrat.
Sipas tij, vendimi i Gjykatës së Lartë sot, duke mbajtur të paprekur, "të paprekshmit e urdhëruar personalisht me sms nga Rama për të dhunuar", ashtu si dhe vendimet e po kësaj gjykate për të dënuar eksponentët e lartë të Partisë Demokratike se preken me fjalën e lirë "të paprekshmin Kryeministër", nuk kanë as për të intimiduar opozitën, dhe për ta ndërprerë betejën e saj për fjalën e lirë dhe dekriminalizimin pa kushte të parlamentit.
Ai thotë se beteja e opozitës do të vazhdojë më e fortë se kurrë sepse kapja e drejtësisë dhe nënshtrimi i saj është një lak që do mbysë qytetarët dhe demokracinë në vend, një lak që po tregon se vendin e demokracisë po e zë regjimi.
Halimi u shpreh se vendime të tilla tregojnë qartazi gjendjen e rëndë në të cilën ndodhet drejtësia sot, e kapur, e nënshtruar, e urdhëruar dhe e vënë nën kontroll për ti shërbyer Kryeministrit dhe miqve të tij me rekorde të tmerrshme kriminale.
Ligjvënësi demokrat shprehet se vendime të tilla tregojnë qartë se qytetarët nuk mund të kenë asnjë shpresë më se drejtësia do jetë e paanshme, e pavarur dhe në shërbim të tyre dhe demokracisë, por po shkon drejt një drejtësie që i gjunjëzohet regjimit.
“Të gjithë shqiptarët panë me zë dhe figurë se ishte personalisht Edi Rama ai që urdhëroi dhunën me sms, që ishin personalisht të paprekshmit e Ramës që zbatuan urdhërin dhe ushtruan një dhunë primitive ndaj deputetit dhe ja ku dolën të palagur. Çfarë mund të shpresojnë më qytetarët nga drejtësia, kur dhuna shfajësohet po të jesh në krah të Kryeministrit dhe fjala ndërshkohet po të jesh kundër tij?”, tha në vijim ai.
Halimi shton se miliona shqiptarë janë dëshmitarë të këtyre skenave dhe vendimeve te turpshme që tregojnë qartë standardin e rrënuar dhe gjendjen e kalbjes së sistemit, të nënshtrimit të drejtësisë para urdhrave politikë të regjimit që po vendos Edi Rama.
Deputeti demokrat nënvizon se ky vendim, është edhe një thirrje më shumë që mazhoranca që sipas tij ka kapur çdo pushtet në vend, dhe kërkon t’i hedhë lakun popullit duhet të marrë leksionin e duhur nga populli në 21 qershor./a.y/noa.al
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





