


I riu shqiptar i arrestuar para pak javësh në Kavajë, Alban Elezi, sot herët në mëngjes është ekstraduar në Itali me kërkesë të autoriteteve të atjeshme.
Alban Elezi akuzohet si pjesë e një celule terroriste dhe bashkë me të janë nën hetim në Torino, edhe nipi tij si dhe një italian.
Policia dhe prokuroria italiane pretendojnë se Elezi bashkë me personat e tjerë, ishin pjesë e një celule të islamikëve ekstremistë e ngarkuar me rekrutimin e luftëtarëve për të luftuar në Siri.
Sipas dosjes hetimore, celula vepronte midis Italisë dhe Ballkanit dhe në pranga ranë 3 persona dy prej të cilëve janë shqiptarë, Alban Elezi, dhe nipi i i tij. Shtetasi tjetër është italian me origjinë marokene, rreth të njëzetave.
Më herët se të kryej arrestimi i njëkohëhshëm në Torino dhe Kavajë, Prokurori i Breshias Luigi Maria Dell’Osso, i cili ka urdhëruar edhe arrestet, paralajmëroi se në Shqipëri janë zbuluar qendra stërvitjeje dhe propagande, si dhe qindra militantë, disa prej të cilëve janë në kontakt të vazhdueshëm me personazhe që lëvizin në Itali, veçanërisht në zonën e Breshias.
Arrestimi në Kavajë i Alban Elezit
Pak pasi media italiane bëri publike lajmin e operacionit kundër celulës xhihadiste policia e shtetit shqiptar informoi se personi i arrestuar për llogari të këtij hetimi ishte Alban Elezi, 38 vjeç, lindur e banues në fshatin Rrakull, Kavajë.
Arrestimi u krye në orët e para të mëngjesit të 25 marsit 2015, në Kavajë nga strukturat Interpol Tirana në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Kavajë.
Ndaj tij u ekzekutua Urdhri i kërkimit Ndërkombëtar.
“Arrestimi i tij u krye në zbatim të kërkesës së Interpol Roma për ekzekutimin e vendimit të arrestit lëshuar në datë 24.03.2015 nga Gjykata e Brescia/Itali në ngarkim të këtij shtetasi, i dyshuar si autor i veprave penale “Akte Terroriste”, – thuhet në njoftimin e policisë
Kush ishin detyrat e të arrestuarve
Xhaxhai e nip kishin detyrë të rekrutonin simpatizantë islamistë nga Shqipëria dhe vende të tjera të Ballkanit për ti dërguar më pas të bashkohen në radhët e Shtetit Islamik.
Ndërkohë marokeni akuzohet për nxitje të terrorizmit në rrjetet sociale. Ai akuzohet se ka hartuar një dokument propagandistik prej 64 faqesh për Shtetin Islamik, të cilin e ka publikuar së fundmi në internet.
Lidhjet telefonike përmes rrjeteve sociale
Të tre të arrestuarit ishin në kontakte telefonike dhe përmes rrjeteve sociale, me një prej italianëve më të famshëm që i janë bashkuar Shtetit Islamik, Anas El-Abubi, që momentalisht mendohet se gjendet në Siri.
Sipas hetimeve rezulton që Anas kishte mbërritur edhe në Shqipëri para se të nisej për në Siri në vitin 2013.
Bastisen banesat në Itali
Përveç tre të arrestuarve, janë bastisur edhe banesat e disa personave që konsiderohen si simpatizantë të ISIS në Lombardi, Piemonte dhe Toskana. Ndërkohë në kuadër të këtij operacioni janë duke u kryer kontrolle edhe në Lombardi, Piemonte dhe Toscana.
Arrestohen dy shqiptarë në Itali, rekrutonin xhihadistë për ISIS
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





