





Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Ilir Meta mori pjesë në një miting sot në mbrëmje në Shkodër ku u prezantua programi i kandidates së “ASHE” për Bashkinë Shkodër, Keti Bazhdari.
Meta, u shpreh se të gjithë shkodranët do të nisen më 21 qershor, me kulturë, me qetësi, me dashuri për të votuar për Keti Bazhdarin.
Ai tha se Shkodra dhe Velipoja nga Thethi në bregdet do të votojnë si evropianët me dashurinë e pafund që kanë për të ardhmen e Shkodrës së tyre.
“Edhe pak ditë dhe ne të gjithë do të nisemi në 21 qershor me kulturë, me qetësi dhe me dashuri për të votuar për Keti Bazhdarin. Shkodra dhe shkodranët nga Velipoja në Theth do të shkojnë të votojnë si europianë dhe si demokratë të vërtetë në emër të dashurisë pafund që kanë për të ardhmen e Shkodrës së tyre. Keti Bazhdari nuk ka limite në pasionin dhe në dashurinë e saj për Shkodrën dhe për shkodranët. Kjo është arsyeja se ne mbështesim fort, sepse te projekti i Ketit ne shohim të ardhmen e këtij komuniteti të shkëlqyer. Shkodra është lodhur me kryebashkiakët partiakë dhe nuk ka nevojë për një kandidatë partiak. Përkundrazi, Shkodra ka nevojë për produktin e saj më të mirë sipërmarrës, për Keti Bazhdarin në mënyrë që t’i japë zgjidhje përmes bashkëpunimit dhe jo përmes konfliktit politik problemeve të mëdha që ka Shkodra dhe që kanë shkodranët”, – tha z. Meta.
Lideri i LSI-së u shpreh se alternative partiake e krahut tjetër premton vetëm konflikt politik që nuk është në interes të Shkodrës dhe të gjithë komunitetin shkodran, ndërsa premtoi se me Keti Bazhdarin do t’i jepet zgjidhje problemeve më akute që ka ky qytet.
“Ne jemi të ndërgjegjshëm se ende mjaft familje shkodrane ndeshen me vështirësitë të mëdha në jetën e tyre të përditshme, por me Keti Bazhdarin ne do t’i zgjidhim këto problem më shpejt dhe më mirë. Ne kemi respekt për të gjithë kandidatët, por dhe mendoj që është një gjë shumë e mirë që kemi dy kandidate, dy zonja këtu në Shkodër, por këtu do jetë fjala për të ardhmen e Shkodrës, këtu bëhet fjala për zgjidhjet e problemeve që ju keni, për t’i pakësuar ato çdo ditë dhe jo për t’i shtuar ato çdo ditë për llogari të konfliktit politik dhe të kreut të këtij konflikti në Tiranë”, – tha z. Meta duke theksuar se Shkodra nuk mund të jetë më peng i konfliktit politik.
Kandidatja e “Aleancës për Shqipërinë Evropiane” për bashkinë Shkodër, znj. Keti Bazhdari shprehu bindjen se Shkodra këtë herë do të zgjedhë drejtimin e duhur dhe nuk do të mbetet bastion i politikës që e ka mbajtur peng për 25 vite.
“Unë e ndiej se Shkodra ka zgjedhur këtë herë të mos jetë më një bastion i keqpërdoru nga politika që e ka mbajtur peng për 25 vite. Të mos dëgjojë më protagonistët e diktaturës tashmë të veshur me petkun e demokratit, të mos gënjehet më nga ata që nuk përfaqësojnë gjë tjetër përveçse mbetjet e fundit të atij sistemi që shqiptarët e larguan 25 vite me parë”, – tha znj. Bazhdari.
Ajo shtoi se Shkodra ashtu si Tirana e ka kuptuar shumë qartë se nuk ka nevojë të humbasë edhe katër vite të tjera. /a.b/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





