Transmetuar më 09-06-2015, 22:19

Deputeti demokrat dhe ish ministër i Drejtësisë, Eduard Halimi, thotë se kryeministri Edi Rama, nuk ka asnjë strategji për luftën ndaj korrupsionit në drejtësi.

Halimi pohon se reforma në drejtësi është jashtëzakonisht e domosdoshme për vendin dhe të ardhmen europiane të tij.

Duke komentuar konferencën e djeshme për reformën në drejtësi, z.Halimi çmon se ajo evidentoi faktin sipas tij se Rama nuk ka patur në programin e vet para 2 vjetësh asnjë strategji për reformën në drejtësi.

Sipas Halimit, Rama nuk ka patur dhe as ka sot pas 2 vjetësh asnjë program, asnjë vizion, asnjë strategji me plane konkrete, hapa konkrete, afate konkrete për luftën ndaj korrupsionit në drejtësi. “Gjatë 2 viteve ajo që Rama bëri ishte vetëm zëvendësimi i karrigeve në drejtësi duke vendosur aty militantët e PS-së, ish – pushtetarë të PS-së dhe ish gjyqtarë të diktaturës”, – thotë z.Halimi.

Kurse shton se i vetmi lajm që shpërndau nga aktiviteti në mediat pranë tij ishte se gjyqtarët kanë paguar ryshfet për promovimin e tyre, duke fshehur kohën kur kjo ndodhte.

Në deklaratën e tij për mediat, z.Halimi vlerëson rolin e kreut të shtetit. “Me presidencën e Nishanit mori fund njëherë e mirë periudha e rryshfeteve për promovimin e gjyqtarëve. Presidenti Nishani i hoqi një njollë të madhe drejtësisë me ndershmërinë dhe përkushtimin e tij”.

Kurse në fund, shton: “Por papagalli fshehu kohën kur kjo ndodhte sepse e ka tashmë në prehër të akuzuarin ndërkombëtar për ryshfetet në drejtësi”. /a.b/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd