
Sjellje primitive e Presidenti serb, ofendon Jahjagën në samitin e Budvës
Presidenti i Serbisë, Tomislav Nikoliq i ka thënë të hënën, homologes së tij nga Prishtina, Atifete Jahjagës, se Kosova nuk është shtet. Për më tepër, burri nga Beogradi me një primitivizëm të paparë i ka thënë asaj të mos shtiret sikur udhëheq një shtet.
Për këto muhabete, të zhvilluara gjatë samitit “Brdo-Brioni”, që u mbajt dje në Budvë të Malit të Zi, gazetës i ka treguar Ivan Mërkiq, këshilltarin e kryetarit Nikoliq.
“Mos mendoni se po e udhëhiqni një shtet të vogël, pasi Kosova kurrë nuk do të jetë i tillë”, sipas Mërkiqit i ka thënë presidenti serb Jahjagës.
Ky, siç transmeton “Veçernje Novosti”, i ka thënë kryetares së Kosovës se “shqiptarët nuk po i përmbushin obligimet e marra nga marrëveshja e Brukselit dhe se kjo praktikë duhet të ndërrohet, në mënyrë që të mund të arrihet një marrëveshje e vërtetë me serbët, në vend se të mendojnë se janë një shtet të cilin gjysma e njerëzimit nuk e njeh”.
Më tepër se kaq, presidenti i Serbisë, sipas këshilltarit të tij, i është drejtuar homologes kosovare edhe përsa i përket zhvillimeve në Maqedoni. Në drejtim të saj janë bërë akuza të rënda gati deri në ofendime.
“Nikoliq i ka thënë asaj se pret që të paktën të kërkojë falje për ato që kanë bërë bashkëkombasit e saj, terroristët shqiptarë, të cilët me egërsi po vrasin në Kumanovë forcat e rendit, e në Prishtinë u përgatitet varrim solemen, në fakt, me nderime shtetërore”, ka treguar Mërkiq.
Ky i fundit, siç shkruan Novosti, ka thënë se pas këtyre fjalëve, Jahjaga ka heshtur dhe nuk ka folur më.
Reagon Presidenca: Nikoliq, njeri paradoksal
Presidenca e Kosovës ka pranuar se Kryetari i Serbisë, Tomisllav Nikoliq, ka bërë sulme dhe akuza të rënda në adresë të së parës së Republikës, Atifete Jahjaga.
Kjo si reagim në ato që shefja e shtetit të Kosovës ka thënë gjatë samitit Brdo-Brioni, që u mbajt të hënën në Budvë, ku siç thuhet, Jahjaga dhe Republika e Kosovës u paraqitën si pjesëmarrëse e barabartë me Republikën e Serbisë.
“I indinjuar me faktet e hedhura para tij dhe me trajtimin e barabartë dhe serioz që po i bëhet Republikës së Kosovës në çdo forum rajonal dhe ndërkombëtar, Presidenti Nikoliq iu kthye retorikës së tij tashmë të njohur, duke e shkaktuar një situatë paradoksale”, thuhet në një deklaratë të presidencës.
“Derisa ai (Nikoliq) fliste për Kosovën si shtet që nuk ekziston dhe problemin që ai kishte me Presidenten Jahjaga për përfaqësimin e Republikës së Kosovës gjithandej, Presidentja Jahjaga ishte e ulur përreth tryezës me të gjithë homologët e saj nga rajoni dhe presidentin austriak, Fischer, të gjitha këto shteteve që njohin pavarësinë e Kosovës, për të diskutuar për bashkëpunimin rajonal që me plane strategjike të bëhen pjesë e hartës infrastrukturore dhe energjetike të Bashkimit Evropian”.
Deklarata e dërguar nga Garentina Kraja, këshilltare e presidentes Jahjaga thotë se “nuk është hera e parë që presidenti serb Nikolic bënë akuza ndaj Kosovës apo proteston ndaj fjalimeve të presidentes Jahjaga në forume rajonale dhe ndërkombëtare, ku Republika e Kosovës është pjesëmarrëse e barabartë me Republikën e Serbisë”.
“Ngjashëm edhe gjatë procesit të Brdos që u mbajt në Budvë, presidenti serb, duke reaguar në fjalimin e Presidentes ku ajo foli për bashkëpunimin ndërshtetëror në aspektin ekonomik dhe të sigurisë, dhe shembullin e mirë që Republika e Kosovës, si shteti më i ri në rajon, po jep në këtë aspekt, ka lansuar një sërë sulmesh dhe akuzash ndaj Kosovës dhe presidentes Jahjaga, sidomos për incidentet në Kumanovë”, thuhet në deklaratën e dërguar për Klan Kosova.
Kraja ka bërë të ditur se “presidentja Jahjaga, para të gjithë të pranishmëve e ka ‘falënderuar’ presidentin Nikolic për ‘brengën e tij’, dhe në vazhdim ka sqaruar se tashmë me presidentin Ivanov (të Maqedonisë) kanë diskutuar për këtë çështje, duke e shprehur pozicionin e Republikës së Kosovës rreth zhvillimeve në Maqedoni dhe bashkëpunimin ndërshtetëror mes dy vende në fushën e sigurisë për të ndihmuar me procesin e hetimeve.
E duket se as Jahjaga nuk ka lënë pa i treguar pjesëmarrësve të samitit se çfarë është duke bërë Serbia, lidhur me këtë problem.
“Duke u ndërlidhur me çështjen e terrorizmit, presidentja ka përmendur rastin e qytetarit të Serbisë që është arrestuar në posedim të 14 kilogramëve eksploziv ushtarak në prag të festave të fundvitit në qendër të Prishtinës dhe dështimin e Republikës së Serbisë për të sqaruar incidentin apo për të bashkëpunuar me institucionet e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





