Transmetuar më 09-06-2015, 16:29

Një mision i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), në udhëheqje të Jacques Miniane, vizitoi Prishtinën gjatë periudhës 28 maj deri 9 qershor për të diskutuar me autoritetet lidhur me programin e reformës ekonomike, që do të mund të mbështetej me një Marrëveshje Stand-By. Pas përmbylljes së misionit, Shefi i Misionit për Kosovën, dha një deklaratë sot në Prishtinë:

“Misioni arriti marrëveshje në nivel të stafit me autoritetet lidhur me një program ekonomik i cili do të mbështetej me një Marrëveshje Stand-By (MSB) me FMN-në, në një kohëzgjatje prej 22 muajsh. Qasja e propozuar do të kishte gjithsej SDR (të drejta speciale të tërheqjes) prej 147.5 milionë (rreth €185 milionë), apo 250 për qind të kuotës. Marrëveshja në nivel të stafit duhet të presë aprovimin e Menaxhmentit dhe Bordit Ekzekutiv të FMN-së. Shqyrtimi nga ana e Bordit Ekzekutiv pritet të bëhet deri në fund të muajit korrik”, tha Miniane.

Ai vlerësoi se rritja ekonomike në Kosovë ka mbetur relativisht e fortë dhe e qëndrueshme viteve të fundit, e nxitur pjesërisht nga remitancat e larta nga diaspora. Megjithatë, sipas tij, ekziston një konsensus i gjerë që nevojitet një rritje ekonomike më e lart për t’i afruar të ardhurat në nivele të vendeve fqinje dhe për të siguruar vende pune të cilësisë së lartë, për të cilat Kosova ka shumë nevojë. “Për ta arritur këtë, autoritetet synojnë që t’i adresojnë hendeqet në infrastrukturë dhe shkathtësi, t’i adresojnë kostot e larta të punës, t’i heqin pengesat strukturore të kredidhënies bankare, si dhe ta forcojnë mjedisin e biznesit. Veprimet vendimtare në këto fusha do ta ndihmojnë ekonominë e Kosovës që të arrijë një rritje të fuqishme dhe gjithëpërfshirëse, të nxitur nga sektori privat dhe eksportet”, tha Shefi i Misionit për Kosovën dhe shtoi: “Politikat fiskale do të kenë për qëllim që të mbajë nivelin mesatar të deficitit përgjatë periudhës së programit brenda kufizimit të rregullës fiskale prej 2 për qind. Kjo do ta mbajë borxhin publik në nivel të ulët dhe të qëndrueshëm në periudhën afatmesme. Rregullimet përkatëse do të bëhen me fokus që të frenohen ndikimet e vendimeve parazgjedhore të vitit të kaluar dhe të përmirësoj strukturën e buxhetit. Në veçanti, duke e mbajtur nivelin e pagave publike në vlera aktuale nominale, duke kufizuar shpenzimet në mallra dhe shërbime, si dhe duke shtuar përpjekjet për mbledhjen e të hyrave, do të krijohen hapësira të nevojshme për shpenzime prioritare të cilat nxisin rritjen ekonomike. Kombinimi i deficitit më të ulët dhe disbursimeve të Fondit do të ndihmojë që Qeveria ta kthejë mbulimin e parasë së gatshme në nivel të duhur”. Për bankat në Kosovë ai tha se janë të kapitalizuara mirë, janë likuide dhe fitimprurëse, me përmirësim të cilësisë së aseteve. “Përpjekjet e autoriteteve gjithashtu do të jenë me fokus në forcimin e mëtejshëm të sigurisë dhe qëndrueshmërisë së sektorit financiar. Megjithatë, vazhdojnë të ekzistojnë disa sfida. Për shembull, pa valutë të saj, kapaciteti i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK-së) për të vepruar si huadhënës i opsionit të fundit në sistemin bankar është i kufizuar. Në këtë mënyrë, programi i ri i autoriteteve do t’i japë përparësi miratimit të një kornize të re për Asistencë Emergjente të Likuiditetit (ELA), në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare. Ngjashëm, programi do të sigurojë aplikim të plotë të mbikëqyrjes së bazuar në rrezik në të gjitha bankat në Kosovë, gjë që do ta ndihmojë BQK-në t’i identifikojë dhe trajtojë më mirë rreziqet në sektorin financiar. Gjithashtu, do të bëhen përpjekje për të zhvilluar vegla të politikave të makroprudencës në BQK dhe për t’i institucionalizuar kapacitetet e autoriteteve për menaxhim të krizave”, tha Jacques Miniane.

Ministri i Financave, Avdullah Hoti me këtë rast tha se ky program adreson nevojat e Kosovës.

“Kemi dizajnuar një program që në pika të përgjithshme adreson nevojat tona, ndoshta çështja madhore pranë këtij programi është pajtimi që ne kemi arritur për të ndryshuar rregullën fiskale sa i përket deficitit buxhetor, normalisht duke e mbajtur këtë rregull fiskale për shpenzimet e rregullta buxhetore por duke lejuar që përtej kësaj rregulle fiskale, ne si vend i ri me një ekonomi në zhvillim me plot nevoja të hyjmë në marrëveshjen ndërkombëtare për të financuar projekte zhvillimore që i nevojiten Kosovës”, tha ministri Hoti.

Ministri Hoti po ashtu tha se për shkak se borxhi publik i Kosovës është i ulët, jep hapësirë për kredi ndërkombëtare duke mundësuar kështu zbatimin dhe implementimin e plotë të projekteve që Qeveria e Kosovës i ka bërë të ditura.

Guvernatori i Bankës Qendrore, Bedri Hamza, tha se “kemi arritur që ta finalizojmë suksesshëm negociatat për një program të ri me FMN-në…ky program pritet të kalojë në faza të tjera të aprovimit në instancat e FMN-së. Sektori bankar është mirë i kapitalizuar, është likuid me trende pozitive të zhvillimit kemi rritje të aseteve, rritje të depozitave. Rritje të kreditimit, kemi zvogëlim të normave të interesit”. Ai tha se Misioni është takuar me Kryeministrin, Isa Mustafa, Guvernatorin e Bankës Qendrore, Bedri Hamza, Ministrin e Financave, Avdullah Hoti, si dhe zyrtarë të tjerë publikë, përfaqësues të sektorit privat, sindikatave të pavarura dhe partnerë ndërkombëtarë.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd