
Me intonimin e Himnit të Kosovës dhe të atij Kombëtar, në prani të pjesëtarëve të familjes Boletini e të mysafirëve të shumtë vendorë dhe ndërkombëtarë, është hapur sot seanca solemne e Kuvendit të Republikës së Kosovës në nderim të jetës dhe veprës së Heroit kombëtar, Isa Boletini, e në kuadër të rivarrimit të eshtrave të heroit në vigjilje të 100-vjetorit të rënies së tij.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, pasi i ka përshëndetur të pranishmit e shumtë në këtë seancë, ka theksuar: "I gjithë populli i Kosovës dhe ne përfaqësuesit e tij, sot jemi krenar që kemi mundësinë për t’i bërë nderime shtetërore këtij personaliteti të madh të Lëvizjes sonë kombëtare." Ai tutje ka spikatur se në një kohë dramatike për popullin tonë, vepra e Isa Boletinit përcaktoi shumë rrjedha të historisë dhe u bë shembull i frymëzimit patriotik për brezat pasardhës, që trashëguan misionin e çlirimit të Kosovës”. Kryeparlamentari Veseli i ka njoftuar të pranishmit dhe qytetarët e Kosovës për homazhet që do të bëhen para eshtrave të heroit në hollin e Kuvendit të Kosovës.
Ai u ka dhënë fjalën përfaqësuesve të grupeve parlamentare në Kuvendin e Kosovës për nga një fjalë rasti për jetën dhe veprën e Heroit tonë kombëtar, Isa Boletini.
Fjalime kanë mbajtur nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti (PDK), nënkryetari, Sabri Hamiti, (LDK), Glauk Konjufca, shef i GP të Lëvizjes Vetëvendosje, Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së, si dhe Valdete Bajrami, shefe e GP NISMA, të cilët kanë spikatur rëndësinë e veprës historike të Isa Boletinit për çlirim kombëtar dhe për shtetformim.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





