
Fushë Arrëz, 9 qershor 2015, NOA.al- Kryeministri Edi Rama deklaroi se 21 qershori është dita për t’u kthyer në drejtimin e duhur.
Në një takim elektoral të ditës së sotme në Fushë Arrëz, ai tha se kjo bashki drejtohet prej vitesh nga Partia Demokratike, dhe se të gjithë qytetarët kanë pasur mundësinë të shikojnë dhe të gjykojnë.
Rama deklaroi se sot është dita për t’i dhënë një drejtim të ri bashkisë së Fushë Arrëzit, që prej shumë vitesh ka mbetur e braktisur, e izoluar dhe se jeton vetëm falë punës dhe sakrificave të jashtëzakonshme të familjeve që banojnë në Fushë- Arrëz, por që për qeverinë në Tiranë për vite e vite të tëra kur PD drejtonte edhe bashkinë edhe qeverinë në Tiranë, bashkia e Fushë Arrëzit nuk ekzistonte.
“Në 18 muaj ne kemi arritur sidoqoftë që në të gjitha bashkitë ku drejtojnë socialistët dhe progresistët të bëjmë të mundur fillimin e një kthese të madhe, e cila është e dukshme sapo shkel në ato bashki. Ndërkohë, që në 18 muaj ky kryetari bashkisë këtu në Fushë Arrëz, as nuk është përpjekur që të trokasë në derën tonë, të sjellë një projekt, të bëjë një kërkesë dhe të argumentojë pse kjo bashki ka nevojë për mbështetje. Nëse sot pas 18 muajsh ka një kontrast shumë të madh midis bashkive ku drejtojnë socialistët dhe bashkive ku drejtojnë demokratët kjo nuk ka të bëjë me faktin, që qeveria jonë ka mbështetur vetëm projektet në bashkitë ku drejtojnë socialistët, por ka të bëjë me faktin që nga bashkitë ku drejton PD nuk ka ardhur asnjë projekt, asnjë kërkesë, asnjë shqetësim dhe asnjë hap për bashkëpunim”, deklaroi Rama.
Sipas kryesocialistit zgjedhjet e 21 qershorit janë zgjedhje me një rëndësi të madhe për familjet sepse në 21 qershor vendoset se si do të jetë jeta në katër vitet e ardhshme jashtë mureve të shtëpisë.
Ai tha se nuk do të vendoset për Parlamentin, nuk do të vendoset për partitë në Tiranë, por do vendoset si do jenë rrugët, si do jetë pastrimi, si do jetë shërbimi me ujë të pijshëm etj.
Kreu i qeverisë duke ju drejtuar banorëve tha se PD-në e kanë mbajtur në kurriz për vite, ndaj ftoi qytetarët që në 21 qershor të votojnë kandidatin e majtë, në mënyrë që Fushë Arrëzi ti ngjajë sa më shumë Tiranës.
“Zgjidhni e merrni, zgjedhja është e juaja, zgjedhja është e lirë. Unë ju siguroj për një gjë, nëse ju në 21 qershor do t’i jepni besimin Franit, detyrimi ynë ndaj jush do të jetë 100-fish. Të tjerat ju i dini vetë se njeri për budalla nuk ju ka bërë ndonjëherë. 21 qershori është dita për ta investuar votën për familjen tuaj, për çerdhen, kopshtin, shkollën, për mënyrën si do të funksionojnë kanalet ujitëse dhe kulluese, për transportin, mbeturinat, infrastrukturën dhe për marrëdhënien, që do të ketë komuniteti me bashkinë dhe kryetarin e bashkisë dhe me qeverinë në Tiranë”, deklaroi kryesocialisti.
Rama u shpreh i gatshëm për bashkëpunim, ndërsa tha se në 18 muaj ka mësuar që kandidatët dhe kryetarët të PD, janë njësoj, nuk e kanë mendjen të punojnë për qytetarët dhe qytetet, por e kanë mendjen të bëjnë vetëm sherrin e SHQUP-it./a.y/noa.al
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





