Transmetuar më 09-06-2015, 10:58

Tiranë, 9 qershor 2015, NOA.al- Kryedemokrati Lulzim Basha nga Vora ku u ndal në një takim elektoral ftoi qytetarët që të ngrihen me votë në 21 qershor për të hequr lakun që u ka vënë në fyt qeveria, të cilën ai e cilësoi si të zullumeve dhe pashpirtësisë.

Gjatë paradites së sotme duke folur për banorët e Vorës, ai tha se qytetarët mund të vendosin me votë për një të ardhme më të mirë, duke shtuar se makineria e oligarkisë ka bërë gjithçka për të lodhur padurimin e qytetarëve.

“21 qershori është dita për të kërkuar llogari për premtimet e pambajtura, në veçanti këtë mesazh e kam për votuesit e majtë. Ne kemi bërë në të kaluarën, bëjmë sot dhe në të ardhmen gara politike, por kurrë nuk mund të pranojmë që gara politike të bëhet në forma të organizatave kriminale, nuk pranojmë që përballja e platformave të zëvendësohet nga banda kriminale. Kërcënim mafioz si ai që i bëhet kandidatit tonë në Vorë, kjo është fyerje e madhe, por edhe kërcënim për të ardhmen e demokracisë”, tha kryedemokrati.

Basha deklaroi më tej se të gjithë në Vorë duhet të bashkojnë votën kundër banditjes dhe qeverisë kriminale.

Sipas tij pushteti po vë pasuri në kohë krize, ndaj tha se detyra e opozitës është që t’u ofrohet shqiptarëve rruga e daljes, duke u zotuar për ulje taksash, ulje e çmimit të energjisë, rritje rrogave dhe pensioneve etj./a.y/noa.al

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd