
Tiranë, 8 qershor 2015, NOA.al – Është zhvilluar sot në Tiranë analiza e sistemit të drejtësisë në vend, nga ku ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Donald Lu ka bërë thirrje për një sistem gjyqësor më efikas në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, ndërsa ambasadorja e BE, Romana Vlahutin ka deklaruar se sistemi shqiptar i drejtësisë duhet të fillojë të godasë korrupsionin në nivelet më të larta.
“Përveçse duhet të japë llogari për korrupsionin, sistemi duhet të jetë i pavarur nga politika. Gjithashtu, sistemi i drejtësisë duhet të ndjekë penalisht më shumë krime të rënda. Sot, emra të njohur të krimit të organizuar ecin në Tiranë pa frikë se mund të arrestohen”, ka thënë Lu.
Ai ka inkurajuar klasën politike që të çojë përpara reformën në drejtësi, e cila sipas tij mund të shënojë një pikë kthese në këtë drejtim.
“Nëse realizohet, reforma në drejtësi mund të jetë më e rëndësishmja që nga rënia e komunizmit. Gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar duhet ta dinë se ndryshimi po vjen”, ka thënë Lu.
Nga ana e saj Vlahutin ka vlerësuar se reforma në drejtësi duhet të parashikojë që të gjithë të jenë të barabartë para ligjit. /a.s/noa.al
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





