Transmetuar më 08-06-2015, 18:28

Budva/Mal i Zi, 8 qershor 2015, NOA.al – Presidenti Buajr Nishani ka qenë i pranishëm në sesionin plenar të Takimit të Kryetarëve të Procesit Brdo-Brijuni, të mbajtur në Budva të Malit të Zi, nga ku ka kërkuar që Bashkimi Europian të japë fonde për Ballkanin, duke përsëritur kështu kërkesën e Edi Ramës.

“Duke qenë mirënjohës për mbështetjen e madhe financiare që Bashkimi Evropian dhe vendet e tij anëtare kanë dhënë ndër vite për rajonin tonë, mendoj se do të ishte e udhës që së bashku të propozojmë organizimin e një konference donatorësh në nivel evropian, për të paraqitur njëzëri projektet e rëna dakord mes nesh”,- tha Presidenti.

Në këtë takim ai është shprehur se bashkëpunimi rajonal është katalizatori i një investimi më të madh politik dhe financiar të Bashkimit Evropian në rajon.

“Ne jemi të ndërgjegjshëm po ashtu se kur punon me vullnet të mirë dhe në grup, rezultatet mund të jenë më të shpejta e më cilësore. Vetëm simbioza e mirëqeverisjes së vendeve tona, e shoqëruar edhe me bashkëpunimin e sinqertë rajonal, mund të ngjizë një tjetër perceptim për rajonin nga ai që ka ekzistuar deri më sot. Ashtu sikurse ajo do të bëhet katalizatore e një investimi më të madh politik dhe financiar të Bashkimit Evropian në rajon”, – tha presidenti Nishani.

Sipas tij, vetëm një rajon i ndërlidhur me infrastrukturë rrugore, hekurudhore, energjetike, etj, do t’i bënte tregjet tona më tërheqëse, ekonomitë tona më dinamike dhe më të ndërlidhura edhe me Bashkimin Evropian. Presidenti u shpreh se Shqipëria ka bërë investime strategjike në këto sektorë ku ka ende vend për të bërë akoma edhe më shumë punë.

“Pasi hodhëm poshtë murin e vizave mes nesh dhe me Bashkimin Evropian e duke shpresuar që edhe Kosova të mbyllë me sukses sa më parë këtë proces me Bashkimin Evropian, është koha të ndërlidhim të gjitha rrugët që na çojnë drejt njëri-tjetrit”,- u shpreh Nishani.

Ai nuk la pa përmendur as as ngjarjet e Kumanovës, për të cilën deklaroi se na rikujtoi për brishtësinë e stabilitetit dhe të sigurisë në rajonin tonë si dhe për domosdoshmërinë që të mos ndalim për asnjë çast përpjekjen tonë për reformimin e brendshëm sipas standardeve evropiane.

Në sesionin plenar të Takimit të Kryetarëve të Procesit Brdo-Brijuni ishin të pranishëm  Presidenti i Austrisë, Hajnc Fisher, Presidentit slloven Pahor, Presidentja kroate Kitaroviç, Presidentja e Kosovës Jahjaga, Presidenti malazez Vujanoviç, ai i Maqedonisë Ivanov, i Serbisë Nikoliç, të tre Kryetarët e Radhës së Presidencës së Bosnje-Hercegovinës: Ivaniç, Çoviç dhe Izetbegoviç si dhe përfaqësuesit e Republikës Franceze. /a.s/noa.al

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd