
Bulqizë, 8 qershor 2015, NOA.al- Kryeministri Edi Rama vizitoi Bulqizën për të përuruar disa vepra. Rama deklaroi se tuneli i parë rrugës së Arbrit, i financuar në këto 18 muaj, tashmë i përfunduar dhe ku po punohet për sistemin e ndriçimit, rilindja urbane e hapësirave publike të qytetit janë investime, të cilat, po e kthejnë Bulqizën në një qytet të jetueshëm cilësisht.
Ai tha se pas një përqendrimi të fortë mbi rrugën e Arbrit, në vjeshtë nis jetësimin edhe ky investim madhor jo vetëm për Bulqizën, por për gjithë qarkun e Dibrës.
Kryeministri e cilësoi si një vepër domethënëse tunelin, duke thënë se është i domosdoshëm për rrugën e Arbrit, i financuar dhe realizuar në kohë rekord, dhe që sipas tij tregon sa shumë më tepër do të ishte bërë, nëse nuk do të kishte dalë përpara një mal me borxhe për t’i shlyer dhe nëse nuk do ishin shlyer deri tani, 550 milionë dollarë për borxhe të prapambetura të qeverisë tjetër.
“Me këtë tunel jepet edhe mesazhi shumë i qartë për gjithë Dibrën, që rruga e Arbrit nuk është më një fantazmë elektorale që shfaqet vetëm nëpër fushata, por është një realitet mbi të cilin ne po punojmë fort. Kemi siguruar edhe financimin për pjesën më të vështirë, me një kompani ndër më të mëdhatë e Kinës. Nga ana tjetër ardhja e ujit 24 orë në një qytet minatorësh, që ishte harruar 25 vjet dhe as ujë nuk kishte, është një lajm i mirë, i realizuar edhe ky në këtë periudhë”, u shpreh Kryeministri.
Ai shtoi se transformimi i vetë qytetit, nga një qytet i dëshpëruar, që siç tha ai ishte tamam si fasada e dëshpërimit, ku i vetmi lajm dhe e vetmja arsye pse flitej për Bulqizën ishte kur vdisnin minatorët, do të kthehet në një qytet të jetueshëm cilësisht nga ata që e banojnë.
“Nga vjeshtë fillon rruga e Arbrit me tunelin e dytë, shumë më i gjatë se ky dhe me urën e Vashës që është shumë e lartë dhe një nga veprat e rralla në Shqipëri. Ky është premtimi kryesor që ne kemi dhënë për gjithë qarkun e Dibrës. E dyta, ajo që premtuam ishte mosha 55 vjeç për minatorët. Premtim i mbajtur. Tashmë ligji ka dalë dhe ka filluar zbatimi. Premtimi i tretë madhor për Bulqizën dhe qarkun e Dibrës është pusi i thellësisë, sepse janë 800 familje, minimumi, që mbahen me të. Tashmë, pusi i thellësisë është realitet”, tha Ministri i Financave Shkëlqim Cani.
Në vijim kreu i qeverisë vizitoi shkollën 9-vjeçare të Bulqizës e ndërtuar rishtas.
Shkolla 9-vjeçare “Xhevdet Doda”, tashmë është e pajisur me teknologjinë e gjelbër, me ashensorë për personat me aftësi të kufizuar, palestra verore dhe dimërore, fusha sportive dhe sistem ngrohjeje qendrore.
Unaza e re e qytetit të Bulqizës është një tjetër investim që ka nisur, për të cilën Kryeministri mori dhe falenderimin e banorëve.
Në Bulqizë ka nisur edhe ndërtimi i pedonales së qytetit. Ndriçim, trotuare, gjelbërim dhe rikualifikim urban përfshin projekti që e shndërron rrugën, në një pedonale dhe i ndryshon konceptin por edhe cilësinë Bulqizës në shërbim të qytetarëve të saj.
Ndërkaq në fabrikën e pasurimit të ferro-kromit në Bulqizë janë investuar 5 milionë dollarë, ndër të cilat 4 milionë janë makineri e pajisje brenda në fabrikë dhe 1 milionë për trajtimin teknologjik të mbetjeve. a.y/noa.al
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





