Transmetuar më 08-06-2015, 11:41

Tiranë, 8 qershor 2015, NOA.al- Kryedemokrati Lulzim Basha ka zhvilluar tre takime të ndryshme elektorale për të kërkuar vota për kandidatët e djathtë dhe Partinë Demokratike.

Gjatë ditës së djeshme ai është ndalur në Lushnjë, Bathore (Kamëz) dhe në Divjakë. Nga Lushnja, Basha ka garantuar qytetarët se me votën e bashkuar, në 21 qershor të majtë e të djathtë do të largojnë bandat e drejtuara nga Tushe- Rama që po përvetësojnë paratë e qytetarëve në projekte korruptive, ndërsa qytetarët vuajnë për bukën e gojës.

Me Dariel Xhindolin, tha ai, bashkia do të jetë në shërbim të qytetarëve dhe jo të qeveritarëve.

“Me votë do i shporrim bandat nga Lushnja, do ta çlirojmë arkën e qytetit, me votë do u japim mundësi qytetarëve të Lushnjës të qeverisen hallet e  tyre, të zgjidhim problemet tuaja, të investojnë sipas prioriteteve tuaja. Puna dhe punësimi në radhë të parë, puna dhe respekti për ju, dinjiteti juaj, këto janë prioritetet e Dariel Xhindolit, kjo është vula e fitores së tij”, u shpreh kreu i PD.

Në Bathore, Lulzim Basha deklaroi se punësimi është prioriteti kryesor i Partisë Demokratike dhe i kandidatëve të saj.

Sipas tij, shumica e shqiptarëve sot marrin borxh për bukën e fëmijëve, ndërsa qeveritarët janë zhytur në afera korruptive nga investimet e luksit deri tek vjedhja e miliona eurove në dispozicion të rimbursimit të ilaçeve.

“Ne vijmë në këto zgjedhje me një prioritet të madh dhe ky ka të bëjë me hallin më të madh të shqiptarëve, ka të bëjë me papunësinë. Zgjidhja jonë për këtë hall konkret është ulja e taksave, ulja me 25% e çmimit të energjisë dhe falja e kamatë-vonesave për shqiptarët, është taksa më e ulët në Ballkan si zgjidhje, si përgjigje ndaj asfiksimit të ekonomisë dhe largimit të investitorëve”, tha Basha.

Kryetari i opozitës në Divjakë, u njoh me shqetësimet e fermerëve të cilët thanë se nuk kanë përfituar asnjë subvencion, por se u janë rritur kostot e prodhimit si rezultat i rritjes së çmimit të naftës dhe energjisë.

Duke folur me ta Basha tha se 21 qershori, është dita e ndëshkimit me votë të mashtrimit dhe hapjes rrugë të ofertës së shpëtimit që propozon Partia Demokratike.

“Ku janë premtimet për 300 mijë vende pune, ku janë premtimet për t’u ardhur në ndihmë fermerëve, për lëndët e para, për çmimin e naftës. Për një vit zhdukën 800 milionë lekë me një skemë të pashembullt abuzivizmi e korrupsioni, privatizimi i Lagunës për interesat e xhepat e tyre. Vota popullore e 21 qershorit është ligj, ligj për të ulur çmimin e energjisë, ligj për të ulur taksat, ligj për t’u ardhur në ndihmë fermerëve”, deklaroi kryedemokrati./a.y/noa.al

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd