Transmetuar më 07-06-2015, 15:54

Tiranë, 7 qershor 2015, NOA.al – Kandidati i koalicionit të majtë për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj, prezantoi sot programin e tij të detajuar për Farkën, nga ku deklaroi se kundërshtari ka nisur të kopjojë projektet e tij, e prej një javë flet për rregullimin e të njëjtave shkolla, kopshte apo çerdhe. Veliaj tha se kryebashkiaku aktual i kishte mundësitë t’i bënte në 4 vjet të gjitha ato që premton sot kandidati i PD-së.

Kandidati i majtë për Bashkinë e Tiranë u kërkoi banorëve të zonës që Farka t’i bashkohet projektit për ta çuar në drejtimin e duhur dhe për t’u siguruar që i njëjti shërbim që ofrohet në qendër të Tiranës të ofrohet njëlloj kudo.

Veliaj prezantoi përpara banorëve kontratën e tij me pesë pika për banorët që do të përfitojnë ndërhyrje në zonën e tyre. Gjithashtu, ai prezantoi edhe programin e tij për zhvillimin ekonomik të zonave rurale që prekin edhe Farkën.

“Do të bëjmë një rikonceptim të shpërndarjes gjeografike dhe të organizimit të tregjeve. Në datën 21 qershor, me votën tuaj, nuk do të ketë më Polici Bashkiake që t’i fusë dorën në xhep dikujt që i rrit produktet e veta në Farkë dhe që mundohet t’i shesë në Tiranë”, deklaroi Veliaj.

Sipas tij, në bashkinë e re, do të përcaktohen disa zona për tregje të përhershme dhe disa zona për tregje të përkohshme. “Madje në rrugët e Tiranës do të bllokohet trafiku, sidomos rrugët që kanë më shumë ndotje, për t’u siguruar që ata fermerë të Farkës të shërbejnë në Tiranë produktet e tyre dhe qytetarët e Tiranës të kenë mundësi të blejnë produkte bio”, sqaroi Veliaj. /a.s/noa.al

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd