Transmetuar më 07-06-2015, 14:59

Tiranë, 7 qershor 2015, NOA.al – Partia Demokratike ka denoncuar sot PS dhe LSI, duke i akuzuar ato se po blejnë votat në qytetin e Shkodrës.

Nënkryetari i Partisë Demokratike në Shkodër, Bujar Hoti deklaroi sot se LSI po blen votën e të rinjve me anë të kuponave të barazvlefshëm me një palë xhinse, ndërsa shtoi se kjo është alternativa e tyre dhe e kandidates së tyre për të ardhmen e rinisë, thjesht një palë xhinse apo një bluzë që i del boja brenda vitit.

“LSI po blen varfërinë dhe mjerimin e shkaktuar nga aleanca në pushtet duke i gënjyer familjet e varfra me thasë me miell në këmbim të votës. Por shkodranët nuk do bëjnë pite as petulla me miellin e LSI-së. Jo më! LSI dhe PS po shpërndajnë përditë shuma të mëdha parash në zyrat e tyre elektorale me synim blerjen e votave. Qytetarëve u kërkohet karta e identitetit, si dhe numri i votave që do të garantojnë, ndërsa në këmbim u ofrohet 50 apo 100 euro. Shuma e parave që u jepet varet nga sasia e votave që ata premtojnë”,- tha z. Hoti.

Sipas Hotit, të punësuarit po dorëzojnë gjysmën e pagës së tyre tek zyrat elektorale te LSI dhe PS pasi kërcënohen dhe u bëhet presion që të garantojnë jo vetëm votën e tyre, por edhe të farefisit.

“Presion dhe terror po ushtrohet ndaj nëpunësve të punësuar, duke i kërkuar secilit të japë 150 mijë lekë kontribut për fushatë. PS-LSI dhe kandidatja e tyre shpresojnë që me manipulimet e tyre të gënjejnë shkodranët por aq sa ç’ndodh të bjerë borë në qershor, aq do ndodhë që qytetarët të besojnë mashtrimet qesharake të tyre”,- deklaroi nënkryetari i PD-së në Shkodër.

Sipas tij, as 200 ciceronët në kala e as antenat që shpërndajnë trakte mediokre që i kënaqin vetëm ata që i publikojnë, nuk do e ndihmojnë aleancën në pushtet dhe kandidaten e tyre t’i shmangen disfatës së 21 qershorit. /a.s/noa.al

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd