Transmetuar më 07-06-2015, 13:53

Tiranë, 7 qershor 2015, NOA.al – Partia Demokratike i ka bërë edhe një herë sot thirrje mazhorancës të nënshkruajë marrëveshjen e dekriminalizimit.

“Partia Demokratike ka denoncuar me fakte të pakundërshtueshme se në këto zgjedhje garojnë kandidatë me rekorde të tmerrshme kriminale dhe ka kërkuar e kërkon prej dy muajsh nga dyshja Rama Meta zbatimin e rezolutës së 24 dhjetorit për dekriminalizimin e kandidaturave të 21 qershorit dhe të politikës në përgjithësi”,- tha sot Oerd Bylykbashi.

Në emër të PD-së, ai tha se kjo parti i ka propozuar zyrtarisht përfaqësuesve të Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim nënshkrimin e një marrëveshje politike që do të mundësonte mosgarimin në zgjedhjet e 21 qershorit të personave me rekorde të tmerrshme kriminale.

“Kjo marrëveshje mundëson verifikimin e kandidatëve të dyshuar, dhe nëse rezultojnë me rekorde të rënda kriminale apo refuzojnë të verifikohen, përjashtimin e këtyre kandidatëve nga kandidimi. Ripërsërisim sot thirrjen ndaj përfaqësuesve të qeverisë që të demonstrojnë vullnet‎ politik dhe t’i hapim rrugën dekriminalizimit të zgjedhjeve vendore. Është në interesin e çdo shqiptari, pavarësisht prej bindjeve politike që persona me rekorde kriminale të mos garojnë për funksionet e larta publike të të zgjedhurve vendorë”,- tha Bylykbashi. /a.s/noa.al

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd