
Korçë, 7 qershor 2015, NOA.al – Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha gjatë një turi bashkëbisedimesh me qytetarët në Maliq, Korçë, Devoll, Ersekë është njohur me shqetësimet e tregtarëve dhe banorëve, ndërsa tha se hapja e vendeve te reja te punës, me qëllim rritjen e konsumit dhe ulja e taksave janë prioritete të tij.
“Ne do i ulim taksat, nuk ka rrugë tjetër. Nëpërmjet uljes së taksave, duhet të hapim punë për njerëzit. Familjet që s’kanë njeri të punësuar duhet patjetër të marrin ndihmën ekonomike”,-tha Basha.
Ai shtoi se qe gjendja e tregut të ndryshojë duhet të ulim taksat, çmimin e energjisë, çmimin e naftës se në kohë krize janë rritur të treja këto dhe e kanë pamundësuar biznesin që të punësojë njerëz.
Nga Devolli, kryetari i PD Lulzim Basha i ka kërkuar kryeministrit të dekriminalizojë politikën dhe administratën, ndërsa i ka adresuar disa pyetje për kandidatin e mazhorancës në Devoll.
“Po i them kryeministrit, ore këtë kandidatin tënd di gjë se çfarë e ke!? Po si e ka emrin njëherë, Beni apo Koço? Po babai si e ka, Panajot apo Xhek? A ka pyetur pse e ka ndërruar emrin? Me gënjeshtra e trafiqe do ecë përpara ky vend? Ky vend do ecë përpara me rininë, me të vërtetën” – theksoi Basha .
Në Ersekë, kryetari i Partisë Demokratike ka denoncuar presionin mafioz që po i bëhet kandidatit të opozitës. Pasi ka bashkëbiseduar me qytetarët e Kolonjës, zoti Basha tha se sjellja e mazhorancës tregon panikun që i ka kapur nga llogaridhënia në 21 qershor dhe humbja e thellë e zgjedhjeve.
“Po vjen ora e llogarive me popullin. Ku i kanë vendet e punës? Ku i kanë taksat e ulura? Ku i kanë çmimet e ulura? Me stilin e tyre tipik të një organizate kriminale kishin çuar para dy ditësh edhe ministrin të na kërcënonte kandidatin tonë, për një arsye të vetme”,- u shpreh lideri i opozitës
Në qytetin e Pogradecit, Basha tha se kanë mbetur edhe dy javë për të kthyer shpresën tek qytetarët e majtë e të djathtë që sot vuajnë nga keqqeverisja.
“Për punësimin nuk flasin, për varfërinë nuk flasin, mendojnë se do ia hedhin, se në 21 qershor ju do të harroni që premtuan punësim e nuk sollën punësim por hoqën njerëz nga puna; që premtuan luftë ndaj varfërisë por sot mjerimi është pesëfishuar sipas vetë statistikave të qeverisë; që premtuan se do të ishin në krah të biznesit duke ua ulur taksat dhe sot ia kanë dyfishuar; se premtuan shëndetësi falas por sot na kanë sjellë korrupsionin me ilaçet. Edhe dy javë për të kthyer shpresën rikthyer vendin në rrugën e një të ardhmeje të sigurt, një ekonomie të fortë për të gjithë ju” – u shpreh Basha . /a.s/noa.al
Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





