Transmetuar më 06-06-2015, 14:37

Tiranë, 6 qershor 2015, NOA.al- Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, nëpërmjet Autoritetit Rrugor Shqiptar, ka intensifikuar punën për finalizimin e punimeve dhe riparimin e disa segmenteve rrugore nacionale, që të çojnë drejt zonave turistike të vendit.

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka finalizuar ndërhyrjen në segmentin e frekuentuar Orikum-Llogara, në zonën e Dukatit, me problematikë të shfaqur prej disa vitesh me rrëshkitjen e dherave. Zona prej 3 km e rrëshkitjes në zonën e Dukatit është korrigjuar provizorisht, deri sa rruga të zhvendoset në një sipërfaqe më të qëndrueshme. Bëhet e ditur se drejtuesit e mjeteve mund të lëvizin pa pengesa në këtë segment rrugor, që paraqiste rrezikshmëri të lartë.

Në vijim thuhet se projekt tjetër me rëndësi është segmenti Qafë Thanë-Lin-Pogradec, me gjatësi 17.6 km, ku është përfunduar asfaltimi në të gjithë gjatësinë e segmentit dhe brenda muajit qershor do të plotësohet me elementet e sinjalistikës dhe sigurisë rrugore, në funksion të sigurisë rrugore dhe qarkullimit komod të qytetarëve.

Segmenti Berat-Lushnjë (3 Lote), me gjatësi 32.15 Km, ku punimet po ecin me ritme të shpejta, aktualisht është siguruar shtrimi me asfalt në të gjithë gjatësinë e tij. Brenda qershorit do të instalohet sinjalistika rrugore dhe barrierat mbrojtëse metalike në këtë segment.

Gjithashtu vijon puna për rehabilitimin e segmentit Gjirokastër-Ura e Viroit. Paralelisht me këto ndërhyrje dhe përfundim projektesh, ARRSH është në fazë proçedurale të rehabilitimit të disa segmenteve të tjera me rëndësi, si segmenti Gjirokastër-Korçë, ku është në proçedurë segmenti Ura e Leklit – Përmet, si dhe rruga që lidh sitin arkeologjik të Bylisit me aksin Levan-Tepelenë, ku puna për rehabilitimin e kësaj rruge lidhëse fillon brenda muajit qershor.

Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës nënvizon se rëndësi të veçantë po i kushtohet mirëmbajtjes me bazë monitorimi të disa segmenteve me flusk më të lartë qarkullimi në sezon turistik, siç është rruga nacionale Rrogozhinë-Butrint, apo segmenti Tiranë-Durrës.

Apelojmë gjithë qytetarët të ruajnë elementët e sinjalistikës dhe inkurajohet denoncimi i rasteve të dëmtimit apo vjedhjes së saj./a.y/noa.al

Komentoni mbi këtë lajm më poshtë. Nëse keni diçka për të raportuar mbi këtë temë, na shkruani tek [email protected]

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd